Një video e publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Blendi Fevziu ngjalli panik për shkak se me anë të një pajisje, ai nxori një shifër alarmante të nitratit në fruta. Sqarimin e bëri sot ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj.
Në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, Denaj tha se videoja e publikuar ka pasur impakt, por theksoi se rezultate të sakta për të dhëna të tilla mund ta tregojnë vetëm laboratorët dhe asnjë pajisje tjetër. Sipas tij, nga monitorimi i bërë në terren, të gjitha fruta-perimet janë brenda normës.
Çfarë plani veprimi ka Ministria dhe institucionet për të garantuar cilësinë ushqimore jo vetëm për qytetarët por edhe për turistët?
Denaj: Jam e sigurtë që ka disa pyetje të lidhura si rezultat i disa videove të publikuara së fundmi. Dua të garantoj që institucioni që është përgjegjës për të gjitha analizat laboratorike është ICUV, është institucion shtetëror që është foksuar në akreditimin e testeve laboratorike. Sigurisht që certifikimi i shumë produkteve ndodh edhe nëpërmjet sektorit privat. Në sigurojmë konfidencialitetin e shumë produkteve, por e përdorim këtë informacion për të gjurmuar se në cilën fermë ka produkte që mund të kenë përmbajtje më të tepërt të nitratit në këtë rast. Duhet të heqim dorë nga produktet që nuk janë të certifikuara. Do i kërkoja të gjithë qytetarëve dhe aktorët që ndihmojnë publikun, që çdo produktin që mund të ketë indikacion të shkojë dhe të certifikohet në ICUF që të gjurmojmë se ku ndodh. Produktet shqiptare, në veçanti në zonën e Myzeqesë, nuk kanë në asnjë moment produkte të pacertifikuara nga vetë prodhuesit. Por nuk mund të përjashtojmë situata që mund të kenë përdorim të plehrave jashtë parametrave dhe në frymën e një ligji do të thosha që organikja është një e ardhme, po nuk mund të jetë e gjitha. E rëndësishmja është që të kemi produkte brenda protokollit, vetëm laboratorët janë të duhurit për të dhënë vlerësimin.
Po ashtu, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj njoftoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar sot pr.ligjin për produktet organike shqiptare.
Denaj shpjegoi se ky pr.ligj organizon rregullat e qartë për produktet organike, të cilat synohet që të vendosen në tregun shqiptar në bazë të standardeve të BE.
“Miratuam pr.ligjin i cili organizon rregullat e qartë për produktet organike, të cilat do të përgatiten dhe synohet të vendosen në tregun shqiptar sipas standardeve të BE. Rregullohen parimet për certifikimin e operatorëve organik, përdoruesin e treguesve me etikë dhe reklamimin, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, ruajtjes, shpërndarjes, import-eksport. Përveç autoritetit që do kenë në përgjegjësi kontrollin, ligji siguron miratimin e listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe produktet plehëruese në bujqësinë organike dhe publikimin e listës. Ngritje sistemi elektronik që do menaxhohet nga ministria”, tha ministrja.
Ministrja njoftoi miratimin e një pr.vendimi që mundëson 25 mln euro financim për ekonominë blu, pra për investimin në infrastrukturën e tregtimit të produkteve të detit.