Një roje në serat e fshatit Mbrostar Ura në Fier është gjetur i vrarë mëngjesin e kësaj të shtune.
Viktima është Petraq Gjika, i cili u gjet i pajetë rreth orës 06.40 me plagë nga një mjet prerës. Ai ishte 67 vjeç dhe banues në fshatin Daullas në Fier.
Viktima u gjet jashtë serave ku ishin kultivuar kastravecë, në ambientet jashtë godinës që ai ruante gjatë natës.
Ngjarja u zbulua rreth orës 06:40 nga banorët e zonës. Ende nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, ndërkohë që objekti është i pajisur me kamera sigurie.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Petraq Gjika është sulmuar dhe më parë me thikë. Korrikun e 2018 ai është sulmuar me thikë nga një person teksa ishte duke pirë kafe në lokal, pranë vendit të punës. Në atë kohë 63 vjeç, Gjika mbërriti në spital i gjakosur, por arriti të shpëtonte.
Me plagë në fyt dhe në bark Petraq Gjika i mbijetoi asaj ngjarje, por sot, në një rast të dytë dhe të ngjashëm ai ka ndërruar jetë.
Nuk dihet nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Autori i ngjarjes që ndodhi 4 vite më parë ishte Xhevat Bregu, i cili u arrestua.