Sport FIFA: Botërori i 2030-ës në 3 kontinente. Ai i 2034-ës në Arabinë...

FIFA: Botërori i 2030-ës në 3 kontinente. Ai i 2034-ës në Arabinë Saudite

Botërori i vitit 2030 do të mbahet në Spanjë, Portugali dhe Marok. Por surprizat nuk mbarojnë këtu pasi tre ndeshjet hapëse do të mbahen në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai. Kjo do ta bënte Botërorin e parë që mbahet në tre kontinente, Europë, Afrikë dhe Amerikën Latine.

Po ashtu Kongresi i FIFA-s konfirmoi se Kupa e Botës në vitin 2034 do të mbahet në Arabinë Saudite. Të dyja këto aplikime u ratifikuan këtë të mërkurë në Kongres.

Pavarësisht votimit pro për realizimin e këtyre botërorëve në mediat ndërkombëtare ka nisur diskutimi mbi vendimin për t’i dhënë Arabisë Saudite mundësinë ta bënte diçka të tillë. Kritikët argumentojnë se kjo është një përpjekje për të “pastruar” reputacionin e regjimit autoritar. Kjo për arsye se Arabia është kritikuar për dhunimin e të drejtave të njeriut, kriminalizimin e homoseksualitetit, kufizimet e fjalës së lirë dhe mungesës së të drejtave të grave.

Vendi do ta zhvillojë këtë turne, më të madhin në futboll, për herë të parë dhe është shembulli më i fundit i influencës në rritje të Sauditëve në sportin global. Atje mbahen edhe gara të Formula 1, ndeshje boksi, golfi dhe tenisi, ndërsa Fondi i Investimeve Publike i Arabisë ka “futur këmbët” edhe në Premier League-n angleze duke blerë Newcastle.

Ndërsa sa i përket kandidaturës së 2030-ës, në fillim pati konkurrencë me ofertën e Amerikës Jugore. Por në fund u arrit një marrëveshje që atje të bëheshin vetëm tre ndeshjet e para të Kupës së Botës duke qenë se është 100 vjetori i Botërorit dhe pjesa tjetër të luhet në Spanjë, Portugali dhe Marok.