Organi më i lartë i lartë i futbollit në botë, FIFA, ka vendosur sanksione këtë të diel ndaj Rusisë pas agresionit 4-ditor mbi Ukrainë.
FIFA nuk e ka përjashtuar kombëtaren e Rusisë nga të gjitha kompeticionet, por ka marrë masa të tjera ekstreme. Kështu, emri i kombëtares do të jetë “Unioni i Futbollit Rus”, duke mos përdorur atë zyrtar.
Po ashtu, kjo kombëtare nuk do të mund të luajë asnjë ndeshje në Rusi, si dhe nuk mund të përfaqësohet me flamurin apo himnin kombëtar.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Federata Ruse e Futbollit do të pranojë të zbresë në fushë me gjithë këto kushte.
Megjithatë shumë shtete kanë dale kundër.
Me anë të një postimi në Twitter, FA (Federata Angleze e Futbollit) theksoi: “Në solidaritet me Ukrainën dhe për të dënuar plotësisht mizoritë që po kryejnë autoritetet ruse, FA konfirmon se nuk do të luajmë asnjë ndeshje ndërkombëtare kundër Rusisë në të ardhmen”.
Edhe Polonia, që duhet të luajë në Moskë më 24 mars në gjysmëfinalen e play-off-it për Katarin 2022 dhe ka bërë të ditur se nuk do të luajë kundër Rusisë. Kështu bëri edhe Suedia, e cila mund të ishte përballur me rusët pas gjysmëfinales tjetër kundër Republikës Çeke.
Sot mbërriti edhe nota zyrtare nga federata çeke, e cila iu bashkua dy përzgjedhjeve të tjera në protestën kundër pushtimit rus të Ukrainës:
“Kombëtarja çeke nuk do të luajë një ndeshje të mundshme në asnjë rrethanë, as në një fushe neutrale, kundër Rusisë në play-off të Kupës së Botës. Ne të gjithë duam që lufta të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.”
Të tre federatat kishin lëshuar tashmë një deklaratë të përbashkët ditët e fundit për të mos luajtur play-off për kualifikimin në Botërorin 2022 në Rusi, me fjalë shumë të ashpra drejtuar FIFA-s dhe UEFA-s.
Një situatë mjaft e parashikueshme nisur nga ajo që ka ndodhur në orët e fundit dhe që mund të ketë pasoja edhe në organizimin e play-off-it që do të luhet pas disa javësh.