Komisioni i Disiplinës në FIFA ka hedhur poshtë pretendimet e Kilit. Ekuadori është konfirmuar në Botërorin e Katarit. Çështja tashmë konsiderohet e mbyllur.
Nuk ka asnjë ndryshim të pjesëmarrësve në Katar 2022. FIFA, me anë të Komisionit të Disiplinës, ka vendosur të mbyllë hetimin për federatën ekuadoriane. Hetim që kishte të bënte me paligjshmërinë e mundshme të aktivizimit të lojtarit Biron Kastilo.
Arsyet e mbylljes së hetimit nuk kanë bërë ende të ditura, por ankesa e Kilit është hedhur poshtë. Kili kërkonte fitoren në tavolinë për ndeshjet kualifikuese, ku Kastilo kishte zbritur në fushë.
Për rrjedhojë, Kili kërkonte edhe pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Avokatët e federatës kilene kanë mbrojtur tezën e falsifikimit të dokumenteve të lojtarit në fjalë. Sipas tyre, Kastilo është kolumbian dhe jo ekuadorian.
“Komisioni Disiplinor i FIFA-s, pasi ka analizuar argumentet e të gjitha palëve, ka vendosur ta arkivojë çështjen dhe të mbyllë hetimin për federatën ekuadoriane”, – shkruhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar të FIFA-s.
Tani mbetet të shihet për cilat arsye FIFA ka arritur në këtë konkluzion.