Aksioni i policisë për çmontimin e kamerave të paligjshme u ndal në Qarkun e Fierit. Gjatë operacionit të koduar “Fijet” policia njofton se janë sekuestruar 20 kamera në qytetet e Fierit dhe të Lushnjës.
Pesë prej tyre ishin vendosur për qëllime kriminale në lagjet “8 Shkurti” dhe “Liri” në Fier. Ndërsa 15 kamerat e çmontuara ishin vendosur në mënyrë të paligjshme në lagjet “18 Tetori” dhe “Loni Dhamo” në Lushnjë.
Pesë shtetas gjithsej janë nën hetim nga Policia e Shtetit. Operacioni për çmontimin e kamerave të paligjshme nisi që nga Shkodra, duke u sekuestruar 51 gjithsej dhe për tu shtrirë në të gjithë Shqipërinë.
Qarqet Vlorë, Durrësi, Dibra dhe Gjirokastra ishin pjesë e operacionit, ku pjesa më e madhe u përkisnin grupeve rivale kriminale. Vetëm të shtunën policia sekuestroi 39 kamera vëzhgimi të paligjshme që u zbuluan në Korçë dhe Pogradec.