“Ai është momenti më i bukur i jetës sime, është unikal”.
Pirro Çako, këtë e ka thënë gjithmonë dhe sot e kësaj dite, 30 vjet më pas, e kujton njëlloj sikur të kishte ndodhur dje.
Ishte momenti i tij, rasti i tij i parë në jetën artistike që jo vetëm goditi fort, por edhe vendosi atë që Pirro do të bënte në jetë.
“E duam lumturinë”, kënga e famshme e Parashqevi Simakut fitoi festivalin në vitin 1988.
Pirro ishte një kompozitor i ri që kishte dëshirë të bënte një këngë për Parashqevinë, këngëtarja e adhuruar e atyre viteve, me shumë artdashës.
Nuk ishte e thjeshtë, por ai kishte lindur me fat.
Historinë me Parashqevinë, Pirro e ka rrëfyer edhe herë të tjera, por është bukur sa herë e kujton, aq sa duket sikur e dëgjon për herë të parë.
Nga fillimi kantautori e nisi edhe sot nga studio e “Rudina”.
Fati “i keq” i Pirros ishte që Parashqevia, si këngëtare me përvojë, nuk mund të pranonte aq lehtë një këngë nga një kompozitor që akoma testonte veten. Për më tepër, kur ky e priste në konviktin ku jetonte këngëtarja, në Tiranë. Shumë-shumë, ajo mund të mendonte se ai ishte thjesht një adhurues i saj që gënjente veten se shkruante muzikë dhe kishte një këngë për të.
Por nuk rezultoi kështu. Megjithëse fillimi i historisë ky ishte: “Unë i shkoja te konvikti ku jetonte Parashqevia, e prisja çdo ditë. Derisa një ditë doli dhe unë iu afrova. Po çfarë t’i thoja? Që jam një kompozitor i ri? Më vinte zor t’i thoja djali i kujt isha, sepse nuk doja të njihesha në këtë mënyrë. Më priti shumë mirë, por… më përcolli”, – tregon Pirro me të qeshur duke kujtuar historinë me Parashqevinë.
Ishte e thënë që gjërat të bëheshin, që kënga të bëhej: “Pastaj u kombinuan shumë gjëra. Aq sa unë nuk e besova që u gjenda në një piano në teatrin e Qytetit Studenti. Aty ia tregova këngën dhe u bë.”
Ishte një nga ngjarjet më të bukura të një artisti të ri që kishte pasion muzikën.
Ishte momenti kur të gjitha gjërat u bënë bashkë për të shkruar historinë e një kompozitori që premtonte shumë për të ardhmen.
Vitet e mëpastajme për të do të ishin të arta.
Parashqevia, me gjithë refuzimin e saj, ishte vetëm fillimi.