Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, nëpërmjet një video-mesazhi ka përcjellë urimin e saj për vitin e ri shkollor 2020-2021, ndërsa nënvizon edhe masat e ndërmarra për të siguruar një fillim sa më të mbarë të tij.
“Nxënës të dashur! Nesër do të uleni në bankat e shkollës përsëri për të filluar vitin e ri shkollor 2020-2021. Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për ju, ndaj jemi përkujdesur me stafet e shkollave, mësuesit tuaj, drejtorët e shkollave, si dhe të gjithë institucionet përgjegjëse për të siguruar një fillim sa më të mbarë për vitin e ri shkollor”, shprehet ajo teksa apelon për respektimin e protokolleve.
“E di që do e keni shumë të vështirë të ndiqni protokollet e sigurisë së shëndetit që kemi vendosur në shkollat tuaja, por kjo është e domosdoshme në mënyrë që të minimizojmë përhapjen e koronavirusit në shkollë, i cili është ende mes nesh, dhe në mënyrë që të qëndrojmë sa më gjatë në shkollë”.
Në rast se duhet të mbyllet ndonjë klasë apo ndonjë shkollë për shkak të infektimeve, ministrja Shahini cilëson se “do të mbështetemi te plani B, që është kanali “RTSH Shkollë”, ku i kemi të xhiruara të gjitha leksionet që do t’i zhvilloni edhe në shkollë me mësuesit tuaj, dhe kemi edhe platformën online që do të shërbejë për mësim në kushte shtëpie”.
Manastirliu: Secili mund të japë një “dorë”
Me anë të një postimi në “Facebook”, edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka reaguar për nisjen e shkollave ditën e hënë.
Manastirliu shkruan se nisja e vitit të ri arsimor në kushte pandemie do të jetë një sfide e madhe për të gjithë.
Ajo këshillon vendosjen e maskave dhe zbatimin e rregullave anti-Covid. “Nesër është një ditë e veçantë, jo vetëm sepse nis viti i ri shkollor, por edhe se, do të jetë një sfidë e madhe për të ruajtur shëndetin e fëmijëve, mësuesve dhe çdo familje, për të mos lejuar përhapjen e Covid-19. Secili mund të japë një dorë për shkollatë sigurta! Maska/barriera mbrojtëse prej tekstili është një akesesor që nuk duhet të mungojë asnjë ditë”, shkruan ministrja.
#GatiPërShkollë 📚🎒
Nesër është një ditë e veçantë, jo vetëm sepse nis viti i ri shkollor, por edhe se, do të jetë një…Posted by Ogerta Manastirliu on Sunday, 13 September 2020