Ndonjëherë i bukur si në pokerin ndaj Cagliari. Pastaj i egër si në përmbysjen ndaj Veronës. Herët e tjera efektiv, si me rastin e suksesit minimal ndaj Torinos. Milani i Stefano Piolit nuk shkëlqen, por arrin të marrë tri pikët në shtëpi kundër “granatave” të Juric. Një tjetër shfaqje e forcës së kuqezinjve, që godet objektivin pavarësisht një paraqitjeje jo emocionuese.
Vazhdon rruga thuajse perfekte e “Djallit” në kampionat, i cili deri më tani ka fituar 28 pikë nga 30 të mundshme. Kuqezinjtë fituan pesë ndeshjet para tifozëve të tyre në “San Siro”, ndërsa humbën pikë vetëm me rastin e ndeshjes si mysafir në stadiumin “Allianz” kundër Juventusit të Allegrit, në ndeshjen që përfundoi 1-1.
Sipas statistikave të Opta-s, Milani nuk e kishte nisur aq mirë në shtëpi për 67 vite, domethënë që nga sezoni 1954-1955, kur Bela Guttmann ishte në stolin e klubit. Me atë rast, kuqezinjtë fituan të njëjtat pikë në 10 javët e para, si rezultat i nëntë fitoreve dhe vetëm një barazimi. Fillimi më i mirë në historinë e “Djallit”, të cilin skuadra e Piolit arriti ta kopjojë.
Cagliari, Lazio, Venecia, Verona dhe Torino. Në 450 minutat e para në shtëpi, Milani nuk la rrugëdalje për kundërshtarët e që u shfaqën në “San Siro” me synimin për të marrë pikë të çmuara. Skuadra kuqezi rikthehet pas shtatë vitesh për të fituar pesë ndeshje radhazi në “San Siro”, në Serie A. Stefano Pioli është trajneri i parë kuqezi, që e bën këtë pas Clarence Seedorf më 2014.
Ky i Milanit përfaqëson një nga startet më të mira në Serie A pas 10 ndeshjeve të para të kampionatit. Vetëm Roma e Garcias në sezonin 2013-2014 doli më mirë se kuqezinjtë, me 10 fitore dhe 30 pikë nga 30 të mundshme. Në pritje të Napolit, i cili do të përpiqet t’i përgjigjet skuadrës së Piolit të enjten kundër Bologna, Milani barazohet me rezultatin e Juventusit në sezonin 2012-2013 dhe 2018-2019, si dhe të Napolit të Sarrit më 2017-2018.