Mësimi nis të hënën edhe në Kosovë, ku prioritet për autoritetet, mbetet respektimi i udhëzimeve dhe rekomandimeve.
Sipas ministrit të Arsimit, Likaj, të gjithë nxënësit nga ora e parë në të fundit, do të duhet të mbajnë maskën mbrojtëse, ndërsa gjysmë milioni të tilla janë shpërndarë falas në të gjitha shkollat.
Ende pa nisur mësimi, 300 mësues kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
“Të gjithë pjesëmarrësit në shkolla duhet të mbajnë maska. Deri tani janë shpërndarë rreth 500 mijë maska. 300 mësimdhënës në gjendje të rënduar shëndetësore do të jenë jashtë procesit dhe do të jenë të mbuluar financiarisht. Jemi të vetëdijshëm për rrethanat e vështira që kemi kaluar dhe po kalojmë, është shumë i rëndësishëm kontributi i prindërve dhe mësuesve në rritje e vetëdijes së nxënësve”, tha ministri i Arsimit në një deklaratë për mediat një ditë para nisjes së procesit arsimor.
Rritet numri i viktimave në 24 orët e fundit
Në 24 orët e fundit në Kosovë koronavirusi u ka marrë jetën 7 personave, ndërsa një ditë më parë ishte raportuar për 3 të vdekur.
Ndërkohë, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe në laboratorët privatë me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 612 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 71 raste pozitive.
Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 14,637 nga 57,851 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, nga të cilët 596 persona e kanë humbur luftën me virusin.
Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 163 persona.