Aktori hollivudian me origjinë shqiptare, Jim Belushi, prej 10 ditësh ndodhet në Shqipëri për të xhiruar një dokumentar ku në qendër ka kultivimin e kanabisit dhe përdorimin e tij në mjekësi.
Aktori i mirënjohur tha për Tv Klan se në vendin e origjinës ka ardhur me ftesë të kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur në Shqipëri ende po diskutohet legalizimi i bimës.
“Unë po bëj një program me gjashtë pjesë. E kam filluar me fermën time në Oregon, kam filmuar në Çikago etj dhe pastaj më vjen një telefonatë nga Kryeministri Rama që të vij dhe të diskutoj mundësitë e legalizimit të eksportit të kanabisit. Legalizimi i kanabisit nënkupton shkatërrimin e krimit të organizuar. Kjo është ajo që unë promovoj edhe në emisionin tim”, tha Jim Belushi.
Pyetjes nëse ai do të investonte në Shqipëri, Belushi i përgjigjet kështu: “Po flasim për kanabisin si bimë medicinale. Shpresoj që do të ketë një përfitim që do të mund tatohet dhe të ndihmojë qeverinë. Nëse në Shqipëri do të legalizohet, pse jo do të vij të investoj”.
Por ndërkohë Belushi tregon edhe përshtypjet që ka marrë nga vendi i tij i origjinës, Devolli”, që do të jenë pjesë e këtij dokumentari.
“Është ai fshati mistik aq i bukur prej nga vjen babai im, familja e nënës sime. Përjetova shumë emocione të fuqishme dhe ende jam duke përpunuar në kokën time atë që përjetova aty”, tha Belushi.
Prej shumë vitesh, aktori i mirënjohur tashmë njihet edhe si fermer pasi Jim Belushi pas legalizimit të hashashit në Oregon, e kultivon atë për qëllime mjekësore. Ekipi po vazhdon ende xhirimet e dokumentarit që do të shfaqet në “Discovery Channel”.