Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara për menaxhimin e situatës, në kuadër të Conference League që do të mbahet në Tiranë më 25 maj në stadiumin “Air Albania”.
Në njoftim është bërë me dije se do të ketë kufizime të qarkullimit të makinave, duke filluar nga stadiumi deri në sheshin “Skënderbej”, në lindje deri në Rrugën e Elbasanit dhe në perëndim deri në rrugën “Sami Frashëri”.
“Masa të shtuara dhe trajnime për menaxhimin e situatës. Janë marrë masat që nga Pikat Kufitare deri në aktivitetet që do mbahen në Tiranë. Tifozët e Romës do grumbullohen te amfiteatri, ata të Feyenoord te pedonalja. Qytetarët të reduktojnë qarkullimin me makina në 24-25 maj që të shmanget trafiku. Në 25 maj do të bllokohet Bulevardi nga Stadiumi te Sheshi Skënderbej”, njofton policia.
Qytetarët që bëjnë veprime të dhunshme gjatë ndeshjes do të gjobiten apo dënohen.
Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.