Kryeministrja italiane Giorgia Meloni arrin me traget drejt bregdetit shqiptar për një vizitë private
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, mbërriti të hënën në një vizitë të papritur në Shqipëri, duke iu bashkuar mijëra pushuesve verorë, që kanë zgjedhur vendin ballkanik, për shkak të çmimeve në rritje të Italisë dhe motit ekstrem.
Meloni zgjodhi një rrugë me kosto të ulët, duke marrë një traget nga rajoni jugor italian i Pulias, ku ishte me pushime me familjen e saj, për në portin shqiptar të Vlorës.
Një nga vendet më të varfra të Europës, Shqipëria ka luftuar për dekada për të hequr reputacionin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që ka shtyrë qindra mijëra shqiptarë të emigrojnë. Por, tani po gëzon një ringjallje ekonomike, pjesërisht për shkak të një bumi turistik.
Të tërhequr nga plazhet mesdhetare me çmime konkurruese, pasagjerët e linjave ajrore në Shqipëri, u dyfishuan në qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas ACI Europe, një shoqatë e operatorëve të aeroporteve. Hapja e linjave me kosto të ulët, për në aeroportet shqiptare kontribuoi në këtë rritje, tha ACI.
U rritën edhe qëndrimet gjatë natës, me shifrat e fundit të Eurostat-it, që tregojnë 261,000 netë të kaluara nga turistë të huaj në Shqipëri në tremujorin e parë, 152% më shumë nga e njëjta periudhë e 2019-ës.
Shumë pushues në Shqipëri janë italianë, që i kanë shmangur udhëtimet brenda vendit.
Ndërsa turistët e huaj vazhdojnë të dynden në Itali – me ardhje ndërkombëtare me 43 % në katër muajt e parë, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2022 – udhëtimet e brendshme ranë 20-30 % në krahasim me vitin e kaluar në rajone të caktuara.
Ministria italiane e financave, tha se ishte duke u mbështetur tek turistët për të rritur produktin e brendshëm bruto të vendit në tremujorin e tretë, pas të dhënave zhgënjyese të tremujorit të dytë, kur prodhimi u tkurr 0.3 % nga tre muajt e mëparshëm.
Përveç çmimeve të fryra, valët e të nxehtit, zjarret në jug dhe stuhitë veriore kanë shkaktuar anulime të prenotimeve të minutës së fundit këtë verë. Në Siçili, një zjarr dhe një shpërthim vullkanik mbylli aeroportin e Katanias, duke çuar në mijëra anulime dhe akuza për reagimin e ngadaltë të autoriteteve.
Mediat tradicionale në Itali, e kanë cilësuar gjithashtu Shqipërinë si destinacionin popullor, duke lavdëruar plazhet e saj me rërë të butë, si Karaibet e Europës.
Melonit iu bashkua në udhëtim partneri i saj dhe vajza e tyre gjashtëvjeçare. Ata takuan homologun e saj shqiptar, Edi Rama, dhe familjen e tij të hënën dhe të martën,
Një zyrtar italian tha se Meloni mori pjesë në një darkë të organizuar nga Rama të martën. Megjithatë, disa media vendase dhe një tjetër zyrtar italian, thanë se ajo u kthye në Itali të martën për të festuar “Ferragosto”, një festë kombëtare.
Rama në fillim të kësaj jave e përshkroi Melonin si një “tigër”. I njohur për stilin e tij konfrontues, kryeministri shqiptar u mburr në rrjetet sociale, me foto që tregonin tragete plot me turistë italianë, duke i etiketuar me ironi si një “pushtim”.
Ai tha se turistët italianë në vendin e tij, arritën pothuajse “gjysmë milion” këtë vit. Mediat italiane e vlerësojnë shifrën në më shumë se 300,000, 57% më shumë krahasuar me të gjithë vitin 2022.
Ndërsa çmimet janë rritur në Itali, turistët ndërkombëtarë janë joshur nga kostot më të ulëta në Shqipëri, nga akomodimi në hotel deri te restorantet dhe shezlongët.
Agjencia Federale e Statistikave të Gjermanisë, zbuloi së fundmi çmimet e restoranteve dhe hoteleve në Shqipëri, ishin 56 % më të ulëta se ato të Gjermanisë – duke e bërë atë destinacionin më të lirë të pushimeve në Europë.
Disa blogerë udhëtimesh nga Italia, kanë promovuar gjithashtu udhëtime në Shqipëri, vetëm një “shëtitje me traget” larg.
Një udhëtim vajtje-ardhje nga Bari në Durrës, kushton rreth 100 €. Udhëtimet e kthimit nga Roma ose Genova, në ishullin italian të Sardenjës mund të kushtojnë dy herë më shumë.
Ministri italian i bujqësisë Francesco Lollobrigida – kunati i Melonit, i cili iu bashkua kryeministres në Pulia – kritikoi së fundmi përpjekjet e Shqipërisë, për të konkurruar me Italinë në turizëm.
“Është e qartë se ka vende të tjera në bregdetin e Adriatikut, që duan të jenë Pulia, por ajo që mund të gjeni këtu nuk mund të gjendet diku tjetër,” tha ai.
Rama ka kërkuar të forcojë lidhjet me Italinë përtej turizmit.
Një fushatë e propozuar “Made in Italia-Albania” synon të ndihmojë Shqipërinë të nxjerrë certifikatat e vajit të ullirit dhe verës, sipas standardeve të BE-së.
Një zgjerim i shpejtë i resorteve përgjatë bregdetit shqiptar, si në fshatin Palasë në Vlorë, ka shkaktuar polemika, me shtëpitë tradicionale që i hapin rrugë hoteleve të mëdha, gjithëpërfshirëse, aksionerët më të mëdhenj të të cilëve janë shpesh politikanë.
Një pushues italian vuri në dukje se apartamenti i tij i pushimeve në Sarandë, ishte gjysmë i ndërtuar, si shumë hotele të tjera. “Dukej se ata nuk ishin gati për bumin e turizmit,” tha ai. Puna sezonale nga Bangladeshi, ka adresuar mungesat e fuqisë punëtore në bregdet, për tani.
Filippo de Miccolis Angelini, i cili drejton një hotel në Pulia, tha se italianët duhet të përfitojnë nga lidhjet e transportit shqiptar të Barit, për të rritur ardhjet në Italinë më të varfër jugore. Të gjithë mund të përfitojnë nga përhapja e turistëve në të gjithë Adriatikun, tha ai. “Është e gabuar të dërgosh mesazhin se Shqipëria është e lirë,” tha ai. “Rrëfimi duhet të jetë rreth kulturës, aventurës, autenticitetit.”
Duke iu referuar një rruge të lashtë, të ndërtuar nga romakët kur Shqipëria ishte pjesë e perandorisë Romake, de Miccolis Angelini tha: “E jona mund të jetë një ofertë e përbashkët – ta bëni Rrugën Egnatia përsëri të madhe.” / The Financial Times