Në fund të vitit të kaluar, Izraeli hyri në një konkurrencë të ashpër me vendet dhe organizatat shumë më të fuqishme për të siguruar një numër të mjaftueshëm të vaksinave për qytetarët e tij, dhe tani ka një furnizim më të madh të dozave sesa mund të përdorë, e njëherësh renditet ndër vendet me më të shpejta dhe më efektivë në programin e vaksinimit, raporton Financial Times.
Shumë u habitën kur mësuan se Izraeli kishte arritur të bindte kompanitë Pfizer-BioNTech për të përmbushur furnizimin me vaksina dhe përgjigjja e pyetjes se si është e mundur qëndron në 17 bisedime midis Albert Bourle, CEO i Pfizer-it, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Yuli Edelstein, ministri izraelit i Shëndetësisë, shkruan Financial Times.
Në këto bisedime, politikanët izraelitë premtuan të zbatojnë një nga programet më të shpejta të vaksinimit në botë dhe të ndajnë të dhënat mbi ndikimin e vaksinimit në pandemi, domethënë t’ia japin Pfizer-it.
Kushti ishte që kompania të siguronte që Izraeli të kishte doza me bollëk dhe që të reja të mbërrijnë në vend pa ndërprerje.
“Në këtë mënyrë, Pfizer do të jetë në gjendje të mburret me suksesin e saj, të fitojë para nga ajo dhe të publikojë të dhëna. Nëse nuk do të ishte kjo marrëveshje, kompania as nuk do të na shikonte, ajo do të kthehej në një treg njëqind herë më të madh”, tha Edelstein në një intervistë me Financial Times.
Ai tha se Izraeli ia ka bërë të qartë Pfizer-it se nuk do të sigurojë të dhëna personale të qytetarëve për kompaninë në asnjë fazë.
Vaksinimi në Izrael
Izraeli vaksinoi më shumë se 2.6 milion qytetarë me dozën e parë, nga gjithsej 9 milion banorë në vend. Doza e dytë u mor nga pak më shumë se 1.1 milion banorë, kryesisht më të vjetër se 60 vjeç.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se vaksinimi në vend po ndodh dhjetë herë më shpejt se në Shtetet e Bashkuara dhe se asnjë vend nuk ka arritur atë që Izraeli ka mundur të arrijë. Ai njoftoi të dielën se një milion doza të tjera do të shpërndahen këtë javë.
Izraeli ka nënshkruar marrëveshje me Moderna-n dhe AstraZeneca-n dhe dozat e tyre të vaksinave do të dorëzohen në vend në mars. Plani është që shumica e qytetarëve të rritur të vaksinohen deri atëherë.
Rezultatet e vaksinimit në Izrael tregojnë se vetëm dy javë pas imunizimit me dozën e parë të vaksinës, Pfizer dhe BioNTech regjistruan një numër shumë më të ulët të testeve pozitive midis njerëzve mbi 60 vjeç.
Përveç kësaj, të dhënat paraprake të marra midis izraelitëve që morën dy doza tregojnë se vaksina është 98 për qind efektive.