Kryeministri Edi Rama bëri ndryshime në qeveri, të cilat i njoftoi në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Ai lajmëroi se Arben Ahmetaj zëvendësohet nga Anila Denaj në Ministrinë e Financave. Edhe pse rezervoi shumë vlerësime për Ahmetajn, Rama vendosi shkarkimin e tij duke e zëvendësuar nga një financiere.
Para tre muajsh, Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me vendim nr.16, datë 13.09.2018 miratoi emërimin e Anila Denaj në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit.
Edhe aty ajo zëvendësoi një tjetër Ahmetaj. Eduard Ahmetaj me formimin jurist, kishte drejtuar deri në shtator institucionin më të rëndësishëm të financimit në fushën e mjekësisë.
Anila Denaj ka qenë anëtare e Këshillit Administrativ të Fondit, ndërkohë që zgjedhje e saj duhet të jetë bërë pas një procedure konkurrimi të hapur në bazë të kritereve të caktuara nga Këshilli Administrativ.