Nga Frank Martela – CNBC
Për pesë vite me radhë, Finlanda është renditur në vendin e parë si vendi më i lumtur në botë, sipas Raportit të Lumturisë Botërore.
Në raportin e vitit 2022, njerëzve në 156 vende iu kërkua të vlerësonin jetën e tyre në një shkallë nga 0 deri në 10.
Si një filozof finlandez dhe studiues i psikologjisë që studion bazat e lumturisë, shpesh më pyesin: Çfarë i bën saktësisht njerëzit në Finlandë kaq jashtëzakonisht të kënaqur me jetën e tyre?
Për të mbajtur një cilësi të lartë të jetës, këtu janë tre gjëra që nuk i bëjmë kurrë:
1- Ne nuk e krahasojmë veten me fqinjët tanë.
Ekziston një frazë e famshme nga një poet finlandez që thotë: “Kell’ onni on, se onnen kätkeköön”. Përkthyer përafërsisht, do të thotë: Mos e krahason dhe mos u mburr për lumturinë tënde”.
Finlandezët e kanë shumë për zemër këtë frazë, sidomos kur bëhet fjalë për gjëra materiale dhe pasuri.
Një herë u ndesha me një nga njerëzit më të pasur në Finlandë. Ai po e shtynte të voglin e tij në një karrocë fëmijësh drejt stacionit të tramvajit. Ai mund të kishte blerë një makinë të shtrenjtë ose të punësonte një shofer, por ai zgjodhi transportin publik.
Kështu duket suksesi në Finlandë: ashtu si gjithë të tjerët.
Këshillë për lumturinë: Përqendrohuni më shumë në atë që ju bën të lumtur dhe hiqni dorë nga të treguarit se jeni të lumtur. Hapi i parë drejt lumturisë së vërtetë është të vendosni standardet tuaja, në vend që të krahasoni veten me të tjerët.
2- Ne nuk i anashkalojmë përfitimet e natyrës.
Sipas një sondazhi të vitit 2021, 87% e finlandezëve mendojnë se natyra është e rëndësishme për ta, sepse u siguron atyre paqe mendore, energji dhe relaksim.
Në Finlandë, punonjësit kanë të drejtë për katër javë pushime verore. Shumë prej nesh e përdorin atë kohë për të shkuar në fshat dhe për të qëndruar në natyrë. Sa më pak pajisje, qoftë edhe pa energji elektrike apo ujë të rrjedhshëm në shtëpi, aq më mirë.
Shumë qytete finlandeze janë gjithashtu të ndërtuara afër parqeve të mëdha, që do të thotë se shumë njerëz kanë qasje në natyrë, në pragun e tyre. Unë jetoj pranë Parkut Qendror të Helsinkit, ku bëj shëtitje të rregullta.
3- Ne nuk e thyejmë rrethin e besimit të komunitetit.
Hulumtimet tregojnë se sa më të larta të jenë nivelet e besimit brenda një vendi, aq më të lumtur janë qytetarët e tij.
Një eksperiment i “portofolit të humbur” në vitin 2022 testoi ndershmërinë e qytetarëve duke hedhur 192 kuleta në 16 qytete në mbarë botën. Në Helsinki, 11 nga 12 kuletat iu kthyen pronarit.
Finlandezët priren t’i besojnë njëri-tjetrit dhe të vlerësojnë ndershmërinë. Nëse harroni laptopin tuaj në një bibliotekë ose keni humbur telefonin në tren, mund të jeni mjaft të sigurt se do ta merrni atë.
Fëmijët gjithashtu shpesh marrin një autobus publik për shtëpi nga shkolla dhe luajnë jashtë pa qenë nevoja të ruhen nga prindërit apo kujdestarët.