Sport Fiorentina e fiksuar pas Bajramit, i ofron dy lojtarë Empolit për shqiparin

Fiorentina e fiksuar pas Bajramit, i ofron dy lojtarë Empolit për shqiparin

Nedim Bajrami mbetet një pistë e nxehtë e merkatos. Fiorentina nuk ka në plan të heqë dorë nga fantazisti kuqezi, që tashmë është kthyer në një fiksim të trajnerit Vinçenco Italiano.

Ideja e fundit për të mbërritur te shqiptari i Empolit është shkëmbimi. Fiorentina i ofron Empolit dy lojtarë, Kouame dhe Zurkovskin, për të pasur në skuadër Bajramin. Ky është propozimi i fundit, sipas shtypit sportiv italian, ndërsa klubi i Empolit nuk ka reaguar ende.

Gjatë merkatos së kësaj vere Empoli humbi Kristjan Asllanin, i cili bëri bujë me kalimin tek Interi. Tani një shqiptar tjetër është drejt largimit, me destinacion më të mundshëm Firencen. Adrian Ismajli, në një formë shumë të mirë këtë fillim sezoni, duket se do të mbetet vetëm.

Bajrami ka qenë gjithmonë i lakuar në merkato, pasi është një lojtar me një bagazh të veçantë teknik. Edhe klube të tjera të mëdha e kanë pasur në listën e dëshirave, por Fiorentina është ajo që po këmbëngul për ta marrë çdo kusht lojtarin e Kombëtares shqiptare.