Mentor Kusho ankohet në emisionin “STOP”, se në vitin 2012 ka bërë akt-marrëveshje me një firmë ndërtimi, për të blerë një apartament në Fier. Një pjesë të parave i ka dhënë, ndërsa sasia tjetër do të dorëzohej, kur të përfundonte pallati dhe të merrej hipoteka. Por në këtë moment, ndërtuesi kërkon para të tjera dhe nuk e njeh fare si blerës Mentor Kushon.
“Në vitin 2012 në këtë apartament kam bërë një marrëveshje me pronarin e firmës, që ndërtonte këtë apartament me vlerën 42 mijë euro. Kam paguar vlerën 22 mijë euro dhe pasi të mbaronte pallati do të paguaja vlerën e mbetur duke bërë kontratën përfundimtare të shitjes dhe marrjen e hipotekës. Për arsye dhe shkaqe nga më të ndryshmet bllokohen punimet. Fation Muskaj merr përsipër sëbashku me pronarin e firmës të bëjë një akt – marrëveshje, që do të përfundonte pallati me investimet e veta duke respektuar të gjtiha marrëveshjet që firma kishte bërë me qytetarët. Në dhjetor të vitit 2014 Fation Muskaj sëbashku me pronarët e tokës deklarojnë tek ALUIZNI se ky pallat ishte ndërtuar me investimet e tyre. Pronarët e tokës sëbashku me Fationin nëpërmjet presioneve të ndryshme detyrojnë blerësit e tjerë të apartamenteve, që krahas shumës që kishin deklaruar në kontratat e tyre të shitblerjes, të paguajnë edhe një shumë shtesë prej rreth 15 mijë euro. Duke mos pranuar këtë deklaratë ata nuk më njohin fare si blerës.”
Njëri prej pronarëve të tokës tregon, se ndërtuesi është mashtrues dhe se lejet i ka të falsifikuara.
“Në të gjitha pretendimet e tij për mendimin tim, se as nuk e njoh duhet të jetë ndonjë mashtrues. Ai kërkon të përfitojë nga një rrëmujë që është bërë.
Po ajo kontrata?
Janë gjëra fiktive. Ajo ka një leje ndërtimi atje një shesh ndërtimi. Ato të gjitha janë të falsifikuara. Shkoni në bashki dhe verifikojeni lejen e ndërtimit. Nëqoftëse ajo ekziston i jepni të drejtë atij zotërisë, por nëse nuk ekziston dhe është bërë në mënyrë evazive, i bie që këta dy zotërinjtë që lidhin kontatat kanë vepruar me njëri-tjetrin dhe kërkojnë të marrin nga të mundin. Ky objekt është ndërtuar pa leje, domethënë 20 apo 30 banorë kanë bashkëpunuar që të ndërtohet ky objekt. Tani këta banorët duke qenë se ky është objekt pa leje janë drejtuar ALUIZNI-t, për të përfituar nga ligji i këtij të fundit me qëllim që të nxjerrin dokumentacionin përkatës.”
Në zyrën e Urbanistikës në Bashkinë e Fierit thonë, se për këtë leje ndërtimi kanë kërkuar dokumentacionin edhe organet e drejtësisë.
“Doja të vërtetoja këtë leje ndërtimi…
Është leje e saktë sepse e kemi parë edhe formularë- leje që kanë bërë, ndryshime me të dhënat. Pra kjo leje është e saktë. Siç e shikoni është e shkuar edhe me kompjuter se janë bërë edhe disa përmirësime.
Ju e njihni si rast?
Po, po jam shumë në dijeni.
Takova edhe pronarin e truallit dhe më tha që mund të shkosh në Bashki të verifikosh?
Kjo dosje është bërë legjendë sepse janë bërë korespondenca të herëpasherëshme, kështu që është e sigurt që kjo leje është e saktë.”
Ndërkohë Ervin Bushi, Drejtori i Aluiznit Fier shprehet se:
“Unë e njoh nga ankesat e qytetarëve nuk është se e njoh personalisht si dosje. Problemi është që në momentin që ka leje ndërtimi për të gjitha objektet pyetet Bashkia. Qytetarët janë drejtuar me një deklaratë, por gjithsesi verifikohet. Verifikohet në bashki leja e ndërtimit nëse është e rregullt, pastaj shikohet akt-marrëveshja që kanë bërë me qytetarët.
Në çfarë faze të procesit jeni?
Në fazën fillestare të procesit me pallatet. Ne sa i përket pallateve verifikohet deri në detaje dhe nuk legalizohet asgjë në kundërshtim me ligjin.”