Ekonomi Firmoset kontrata për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës

Firmoset kontrata për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës

Pas më shumë se 3 vitesh projektim, procedura financimi dhe garë ndërkombëtare, është firmosur ditën e sotme kontrata për ndërtimin e linjës së re hekurudhore Tiranë-Durrës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se ky projekt do të ndikojë në shumë mënyra në jetën e qytetarëve. Përveçse një alternativë shtesë udhëtimi mes Tiranës dhe Durrësit, projekti do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme edhe në rritjen e vendeve të punës.

“Projekti do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e vendeve të punës pasi do të punësohen 2200 punonjës ndërkohë që kursimet nga përdorimi i hekurudhës do të jenë rreth 55 mln euro në vit”, tha Balluku.

Projekti parashikon lidhjen hekurudhore edhe me aeroportin e Rinasit. Ministrja tha se kjo linjë hekurudhore është një prioritet i qeverisë shqiptare. Si ministre e Infrastrukturë ajo u angazhua publikisht në ndjekjen me përpikmëri të të gjithë ecurisë së projektit.

“MIE angazhohet publikisht se do të ndjekim përpikmëri të gjithë ecurinë e projektit, për të siguruar dhe facilituar të gjithë procesin dhe sigurisht arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme për të ofruar transparencë të plotë”, tha Balluku.

Ky investim strategjik hap kapitullin e rilindjes së hekurudhës Shqiptare, me një aks prioritar që përkon edhe me vizionin e Metropolit Europian Tiranë-Durrës, shtoi ndër të tjera ministrja.