Mazhoranca dhe opozita parlamentare kanë arritur marrëveshjen për votimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, që përfshijnë hapjen e listave zgjedhore.
Kreu i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka njoftuar se palët kanë rënë dakord që në seancën e 23 Korrikut do të votohen ndryshimet kushtuese të dakordësuara më 5 Qershor me opozitën jashtëparlamentare, si dhe për ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave të kandidatëve.
Në draftin e marrëveshjes thuhet se të dyja palët angazhohen për të nxitur dhe mbështetur dialogun midis tyre dhe opozitës jashtëparlamentare, në një proces gjithëpërfshirës me synim arritjen e një dakordësie sa më të gjerë.
Më herët ditën e sotme, Komisioni i ligjeve miratoi pa asnjë ndryshim amendimet në Kodin Elektoral sipas marrëveshjes së arritur nga Këshilli Politik në datën 5 Qershor, ku deputetët e opozitës votuan kundër.