Është nënshkruar këtë të martë marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila do të mundësojë njohjen e sigurimeve shoqërore për mijëra emigrantë shqiptarë të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Itali.
Marrëveshja u firmos nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani dhe homologu italian Antonio Tajani.
“Një arritje e shumëpritur për mbi 500 mijë shqiptarë në vendin e dashur fqinj, falë një përpjekjeje këmbëngulëse prej thuajse një dekade, në kërkim të këtij rezultati që dukej i pamundur për vetë peshën financiare të një marrëveshjeje të tillë”, komentoi në Facebook kryeministri Edi Rama.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme tha se marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve.
Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.
Pas firmosjes, marrëveshja para se të hyjë në fuqi duhet të kalojë për ratifikim në Kuvendet respektive.