Prokurori i Përmetit Asllan Bajrami është kërcënuar nga persona të paidentifikuar. Ai ka bërë kallëzim në polici, ku ka thënë se në dritaren e zyrës së tij ka gjetur fishek arme.
Besohet se fisheku është lënë si mesazh për prokurorin Bajrami.
Po kështu, prokurori ka thënë se gjatë ditëve të fundit ka marrë thirrje në celular nga numra privatë dhe të panjohur.
Pas denoncimit të prokurorit Asllan Bajrami, policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje.
Grupi hetimor do të verifikojë kamerat e sigurisë në zonë për të parë nëse janë fiksuar personat që ka lënë fishekun në dritaren e zyrës së prokurorit.