Presidenti Ilir Meta pas firmosjes së dekretit që kthen ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka paralajmëruar sot se do të firmosë edhe një dekret tjetër për shpërndarjen e Parlamentit, nëse qeveria nuk e merr parasysh popullin, duke i lënë afat për reflektim deri më 15 Mars.
Por si e komentojnë analistët tubimin e Metës sot dhe cilat ishin mesazhet e tij?
Mero Baze, një gazetar kundërshtar i Ilir Metës thotë se kërkesa më e rëndësishme e Ilir Metës ishte se atë duhet ta marrim seriozisht. Sipas Bazes, Meta e kishte në radhë të parë për shumicën në pushtet, por dhe për opozitën dhe faktorin ndërkombëtar.
“Duke ju kërcënuar shumicës se duhet ta merrte seriozisht, ndryshe ai do marshonte drejt sallës së Parlamentit me popull me vete, për ta shpërndarë më 15 mars, në fakt ai nuk ishte duke trembur dikë nga shumica, por kërkonte të siguronte mitingun e dytë me miell hua nga opozita.
Se nëse atë e marrin seriozisht me këto që thotë, duhet ose ta mbyllin në çmendinë, ose në burg. Por të gjitha palët kanë rënë dakord, se nuk ja vlen, pasi më 30 qershor bëri gjëra më të rënda se kaq dhe nuk e përfilli njeri.
Ndaj si kosto më të ulët për të gjithë, kanë mos marrjen seriozisht. Se këtu problemi do të ishte po ta merrnin seriozisht”, shkruan Mero Baze në gazetën TemA.
Duke përdorur ironinë, Baze thotë se “e vetmja gjë e mire nga protesta e Ilir Metës, është që i vuri afat skadence seriozitetit të tij, deri më 15 mars. Atë ditë ai duhet të shpërndajë Parlamentin dhe të përmbysë pushtetin. Edhe nëse nuk bën dot gjë më 15 mars, e ka siguruar 13 ditë si lider opozite”.
Ndërsa Andi Bushati, një armik i thekur kundër Edi Ramës, është kapur më shumë me njerëzit e pranishëm në miting.
Sipas tij, Ilir Meta tuboi në bulevard shumë më tepër njerëz se ka mbledhur ndonjëherë në këtë vend një kryetar shteti, ndërsa në vë dukje se njerëzit dolën kundër Ramës dhe jo pro Metës.
“Manifestimi i 2 marsit, ndonëse kishte okelion e mbrojtjes së kushtetutës, ishte një protestë ndaj një njeriu të vetëm. Ai ishte një grumbullim që kishte në epiqendër Edi Ramën dhe sistemin autarkik që ai po ngre. Ai ishte mitingu më i çuditshëm në botë, ku të gjithë ishin bërë bashkë kundër atij që askush nga oratorët nuk ia përmendi emrin.
Në këtë kuptim, konkluzioni që del nga ajo që shikuam në bulevard, nuk duhet parë si një sukses personal i presidentit. Mbi të gjitha, ai qe konfirmimi se ekziston në këtë vend një masë e madhe, në rritje progresive, që nuk pajtohet dot me pushtetin personal, kleptokratik dhe të kriminalizuar të Edi Ramës. Ata sot i mblodhi Ilir Meta. Ata dje i mblidhte Lulzim Basha. Ata nesër mund ti mbledhë pa surprizë edhe Nisma Thurrje apo Organizata Politike e Arlind Qorit. Sepse sado liderë të fshihen, të squllen, të shiten, populli që nuk e duron më këtë regjim, nuk mund të mbetet pa zë”, argumenton Bushati në një shkrim për lapsi.al
“Prandaj Ilir Meta, sot, nuk mund të mburret se populli opozitar doli në bulevard pro tij. Ai mjafton të gëzohet se pati intuitën dhe forcën për të interpretuar vullnetin e atyre që janë të gatshëm të rezistojnë”, thekson Bushati.
Ndërsa Dritan Hila, që ndryshe nga Baze dhe Bushati nuk është rreshtuar në asnjë llogore politike e ka analizuar mitingun e Metës nga syri i një diplomati.
Sipas Hilës, “morsën rreth Metës nuk po e shtrëngon Edi Rama, por ndërkombëtarët. Dhe ndërkombëtarët ai as mund t’i trembë dhe as t’i blejë”.
“Mitingu i Presidencës ishte një akt që tregoi vetëm diçka: Morsën rreth Metës nuk po e shtrëngon Edi Rama, por ndërkombëtarët. Dhe ndërkombëtarët ai as mund t’i trembë dhe as t’i blejë.
Gjithë deklaratat e mbështetësve të tij kundër perëndimit dhe ambasadave, në shumicën e rasteve e kanë bërë qesharak, ndërsa diku-diku ka ngjallur zemërim. Gjykimi i të huajve me kutin e Tiranës dhe profkave me Soros e komplote, mund të shërbejnë për të mpirë trutë e sëmura shqiptare, por nuk janë manual si të sillesh me perëndimin. Dhe kjo ka sjellë një braktisje të presidentit.
Mitingu i sotëm tregoi se Ilir Meta nuk ka më armë dhe zhvlerësoi të fundmin enigmë që kishte: Shpërndarjen e Parlamentit. Tani edhe në e bëftë, askush nuk do e marrë seriozisht”, shkruan Hila në një analizë për dritare.net