Në ndeshjen e javës së 6-të të kampionatit kroat, Dinamo Zagreb dhe Hajduk Split u takuan në një sfidë rivaliteti të nxehtë. Ndeshjet mes këtyre skuadrave quhen “derbi i përjetshëm”, një nga derbet më të ndezur dhe të ashpër në Europë.
Pas fitores së skuadrës së tij, Gennaro Gattuso vendosi t’iu dhurojë lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit të tij stërvitor nga një iPhone 16 të ri, plot 35 të tillë, si dhuratë falënderimi për fitoren e madhe. Ai ka paguar rreth 40.000 euro për 35 telefona të tillë, të cilët do t’iu dorëzohen anëtarëve të Hajduk Split sapo t’i sjellë firma e kontraktuar.
Vetë Gennaro donte ta bënte këtë edhe më herët, por rezultatet nuk ndihmuan. Ndaj, fitorja në derbi ishte një mundësi e shkëlqyer për të realizuar këtë ide. Në një ndeshje të tensionuar, Hajduk Split fitoi 1-0 falë golit të Marco Livajës.
Gjesti i trajnerit erdhi pas fitores si mysafir (1-0, me gol të ish-lojtarit të Interit, Livaja), në ndeshjen ndaj rivalëve të mëdhenj Dinamo Zagreb.
Duhet evidentuar fakti se për ish-mesfushorin e Milanit, ky gjest nuk është diçka e re nga aktet e tij bujare.
Në vitin 2014 ishte trajner në Greqi, tek Ofi i Kretës. Pas dorëheqjes vendosi të paguante personalisht rrogat e lojtarëve (rreth 50 mijë euro), ndërsa në vitin 2019, kur i dha lamtumirën Milanit, refuzoi pagesën e largimit.
Te Piza, në periudhën 2-vjeçare (2015-2017) bleu kuti me ujë për lojtarët e tij, ndërsa te Napoli, gjatë valës së parë të Covid-it, zgjodhi të hiqte dorë nga paga për të lejuar klubin të paguante stafin dhe punonjësit e magazinës.
Tani edhe në Kroaci e njohin bujarinë e Rinos dhe në ditët në vijim çdo lojtar dhe staf do të marrë dhuratën e çmuar.