Fredi Beleri ka reaguar nga qelia për fitoren e tij në bashkinë Himarë, duke falenderuar ata që “treguan burrëri” dhe votuan atë.
Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Beleri i referohet vetes së tij si kryebashkiak i qytetarëve të Himarës dhe thotë se ky rezultat tregoi se demokracia fitoi.
“Demokracia fitoi! Himara fitoi! Mirënjohës për të gjithë ata që treguan burrëri. I mirëkuptoj të gjithë ata që terrorrizmi u mundua ti nënshtrojë. Sot nuk ka humbës dhe fitues, janë të gjithë qytetarë të Himarës dhe unë kryebashkiaku i tyre dhe si i pari mes të barabartëve do të do të përparojmë së bashku që të bëhemi akoma më të fortë në mbrojtje të demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut!” shkruhet në FB e tij, si deklaratë e Belerit nga burgu.
Pas fitores së Fredi Belerit në Bashkinë e Himarës, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka thënë se kjo nuk është një fitore, por një triumf.
Sipas tij, Beleri shumë shpejt do të jetë në krye të Bashkisë Himarë pasi të lirohet nga burgu ku ndodhet i akuzuar për krim zgjedhor.
“Nuk është fitore, është një triumf. E dinim dhe e prisnim. Për një moment u duk para një furtune të paprecedentë. Populli i Himarës foli, triumf për Belerin. Një faqe e re po hapet për Himarën. Beleri do të jetë shumë shpejt në krye të detyrave të veta. Populli e liroi, me lirimin nga Gjykata do të jetë në krye të bashkisë. E mori vesh lajmin”, – tha Dule.
Dule tha se Bashkia e Himarës do të jetë një model i ri dhe garantoi se qytezës iu thye autokracia. Sipas Dules, Beleri ka fituar me diferencë të ngushtë votash ndaj Jorgo Goros.
“Nuk e di numrin e saktë, duhet të jetë diçka rreth 30 vota”. Edhe pse në paraburgim, Vangjel Dule thotë se Fredi Beleri do të lirohet nga gjykata pasi ndaj tij nuk ka asnjë provë.
“Nuk duhet të bëjmë hipoteza, por mos kini asnjë mendim se nuk do të jetë në krye të punëve. Është mendimi i avokatit të tij, juristëve të cilët pasi kanë parë dosjen, janë të sigurt se nuk ka asnjë fakt asnjë provë. Ishte një sajesë nga vetë kryeministri, e cila do të rrëzohet, por shumë shpejt e vërteta do vihet në vend”.
Beleri fitoi Himarën si kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” me një diferencë të ngushtë, rreth 20 vota, me kundërshtarin socialist Jorgo Goro.
Ndërkohë Beleri ndodhet në burg, pasi vetëm pak ditë më parë u kap në ambientet e një lokali bashkë me dy persona të tjerë që dyshohet se po bënte premtime dhe po jepte para për blerje votash.