Nga “Vice.com”
Avdiu ishte në kërkim të një mënyre për t’u larguar nga Shqipëria, kur një shok në Mbretërinë e Bashkuar i ofroi një punë që do t’i garantonte para të shpejta: kultivimi i kanabisit.
“Nuk ka shpresë në Shqipëri”, thotë 30-vjeçari, i cili punonte si menaxher shitjesh në Tiranë. “Miqtë më thoshin se kishte shumë punë në Britani dhe se me kanabisin fitohej para”.
Në dhjetë vitet e fundit, bandat shqiptare janë rritur duke u bërë shumë të fuqishme në tregtinë e drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Pasi kanë marrë tregun e kokainës, tashmë ato kanë nisur prodhim e kanabisin në banesa. Shqipëria ishte prodhuesi më i madh i kanabisit në natyrë në të gjithë Europën, por policia ka shkatërruar shumë plantacione, me qëllim integrimin në Bashkimin Europian. Tashmë, duket se kriminelët janë duke i sjellë njohuritë e tyre në Britani.
Në dy vitet e fundit, policia ka bastisur dhjetëra shtëpi ku kultivohet kanabis nga shqiptarët në qytete si, Machester, Gloucester, Peterborough dhe Leeds. Përballë kafenesë ku takova Avdiun në Tiranë, një kompleks me apartamente luksoze po ndërtohej dhe më kanë thënë se kjo bëhet për arsye pastrimi parash. Ferrari dhe BMW fringo të reja, shpesh më kalojnë pranë.
Në një shtet ku paga mesatare mujore është më pak se 300 paund dhe papunësia tek të rinjtë shkon në 30 përqind, pasuria e shqiptarëve që jetojnë në Britani, është e vështirë të injorohet nga shumë të rinj. “Njerëzit mendojnë se Britania është një parajsë”, thotë Avdiu. “I thashë të gjithë të njohurve se do të bëja shumë para”.
Në vitin 2017, kur ishte 28 vjeç, Avdiu u nis drejt Francës, me një vizë turistike Schengen 3 mujore. Ai më pas pagoi një trafikant 14 mijë pound për një vend në kamion, përtej kanalit të La Mansh. Më shumë shqiptarë kapen duke hyrë ilegalisht në Britani, krahasuar me kombësitë e tjera.
“Problemi është se askush nuk ka dokumenta”, thotë ai, duke vënë në dukje faktin se është e pamundur të gjesh një punë duke qenë emigrant i paligjshëm.
“Ata fillojnë të punojnë në lavazhe në pronësi të shqiptarëve dhe më pas dëgjojnë për këto gjëra”.
Avdiu megjithatë, u largua nga vendi, me qëllimin e qartë për të bërë punë të paligjshme. Miqtë e tij, të cilët i kishte takuar duke luajtur poker në Tiranë, kishin në pronësi shtëpi ku kultivohej kanabis në periferi të Birmingham dhe i ofruan para borxh, që ai të niste një të vetën.
Fitimi nga prodhimi i parë do të vinte pas tre muajsh dhe do t’i shitej trafikantëve për 70 mijë paund, me të cilat do t’u paguante 30 mijë shokëve dhe pjesën tjetër do ta mbante për vete.
“Ka shumë shtëpi të tilla në Birmingham”, shpjegon ai. “Thuajse çdo shtëpi. Dhe nuk e bëjnë vetëm shqiptarët – ka afganë, pakistanezë, vietnamezë”. Ai shton se grupe të tilla punojnë veç për kultivimin, por shpesh bashkëpunojnë kur vjen puna tek shitja.
Sipas Avdiut, çdo shtëpi kishte një dhomë gjumi për një punëtor që fle aty, e kompletuar me Playstation që të mos mërzitet dhe një banjë dhe kuzhinë. Dhomat e tjera janë të mbushura me bimë. Menaxherët shqiptarë – shumica e të cilëve kishin disa shtëpi – merrnin në telefon çdo ditë për t’u siguruar që gjithçka shkonte mirë, duke përdorur karta telefonike të paregjistruara, të cilat ndërrohen rregullisht.
Kjo mënyrë organizimi, bënte që bosat të ishin të papërfshirë, duke iu shmangur kështu policisë. Artikujt e gazetave për shqiptarët që kapen duke kultivuar kanabis në banesa, shpesh janë për punëtorët.
Avdiu thotë se punëtorët nuk dilnin shumë nga banesat, përveçse për të marrë ushqim dhe ai kishte dëgjuar, se personi që ka qëndruar më gjatë brenda, ka qenë për tetë muaj. Megjithatë, edhe pse kultivimi i kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar lidhet shpesh me punën e fëmijëve dhe abuzimin e tyre, ai insiston se ky nuk është rasti me shqiptarët. Punëtorët janë adoleshentë dhe persona deri në të tridhjetat. Ata trajtohen mirë nga bosat, “për të patur prodhim të mirë. Nëse kapen, ti do që ata të jenë besnikë dhe të mos thonë emrin tënd”.
Shumica e emigrantëve nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar, erdhën nga Kukësi, Dibra dhe Shkodra. Shumë prej tyre në vitet 1990 kërkuan azil duke u hequr si refugjatë nga lufta në Kosovë. Shoqëria këtu është e organizuar rreth lidhjeve të ngushta familjare dhe klanore, të cilat janë të rëndësishme për rekrutimet në banda.
Duke udhëtuar në këtë vend, është e thjeshtë të shohësh impaktin e parave të drogës në komunitetet rurale. Edhe pse këto janë disa nga pjesët më të varfëra të Europës, me shumë pak industri dhe biznese të vogla familjare, në periferi po ndërtohen vila. Avdiu gjithsesi, është nga Tirana dhe asnjë anëtar i familjes së tij nuk është i përfshirë në krimin e organizuar. Ai nuk dërgoi para në shtëpi. “I thashë prindërve se po punoja si menaxher”.
“Bëra para shpejt, por gjithashtu i humba shumë shpejt. Kam miq që kanë 10 apo 12 shtëpi dhe bënin rreth 100,000 paund në javë. Kishin shumë para që mund të dërgonin në Shqipëri, por më së shumti i investonin në Mbretërinë e Bashkuar”.
Gjashtë muaj pasi erdhi në Mbretërinë e Bashkuar, Avdiu u kap në Londër me 16 pako kanabis, të cilat kishte për qëllim t’i shiste tek trafikantët lokalë. Ai kaloi gjashtë muaj në burg, përpara se të deportohej në Shqipëri.
Avdiu nuk ka më komunikim me miqtë e tij në Britani dhe nuk ka më plan të rikthehet. Megjithatë, ai mendon se aksionet e policisë, po i detyrojnë shumë shqiptarë të “pastrojnë” bizneset. “Krimi është gjithnjë një hap përpara policisë”, thotë ai. Kur e pyes se drejt cilave biznese po shkojnë shqiptarët, ai qesh dhe më thotë “drejt lavazheve”. Kontakti i përbashkët që më siguroi takimin me Avdiun, mendon se ai mund të ketë treguar për shokët e tij, në mënyrë që të merrte një dënim më të shkurtër.
“Në Mbretërinë e Bashkuar bën para, por ka edhe një anë të errët”, thotë Avdiu. “Njerëzit mund të bëjnë 5 mijë paund në muaj, por mund të burgosen për 16-17 vite – ata marrin një risk shumë të madh. Shumë prej tyre do të preferonin të bënin dokumentat dhe të fillonin një punë normale me 3 mijë paund në muaj”. Por me ekonominë që nuk ka asnjë shenjë përmirësimi në Shqipëri dhe shanset e ulëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, numri i të rinjve të dëshpëruar, të cilët janë të gatshëm të ndërmarrin rrezikun, nuk ka gjasë të ulet edhe për shumë kohë.