Redjan Rraja, i akuzuar i SPAK për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, dëshmoi sot në procesin gjyqësor për konfiskimin e pasurive të tij. Rraja mohoi të ketë lidhje me automjetin “Audi” të Kevina Kthjellës, te sekuestruar, pasi SPAK dyshon se i është dhuruar prej tij.
“Kam pasur marrëdhënie miqësie ne Kthjellën, por asgjë tjetër. Ajo makinë ka qenë në emër e mbiemër të saj. Unë nuk kam lidhje fare. Është objekt që është u saj. Nuk e di kur është blerë. Në mënyrë absolute nuk kam kontribuar në blerjen e këtij mjeti”, tha Rraja.
Në lidhje me të ardhurat e tij, rraja tha se kishte tre klinika stomatologjike dhe se siguronte te deri ne 200 mln lekë të vjetër.
“Asnjëherë nuk kam shpenzuar më shumë se fitimet e mia”, tha ai.
SPAK kërkon konfiskimin e një njësie tregtare, dy garazheve dhe automjetit “Audi”, si të pajustifikuara në burime të ligjshme. Në seancë Rraja tha se në vitin 2016 kishte bërë një kontratë prenotimi për një njësi tregtare e dy garazhe dhe se kishte paguar përmes bankës rreth 200 mijë euro. Sipas tij, një pjesë të shumës e kishte kërkuar pas për shkak se i ishin nevojitur gjatë kohës që kishte shkuar në Kanada.
“Kur u ktheva nga Kanadaja do t’ia ktheja paratë, por u arrestova. Për këtë shkak i kërkova bashkëshortes ta revokonte kontratën”, tha Rraja.
Ai tha se nuk kujtonte të kishte pasur marrëdhënie kontraktore me një familjare të Elton Ciços në vitin 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Rraja theksoi se mund ta ketë pasur paciente, pasi ka punuar 6 vite si stomatolog në Tepelenë. Si pacient Rraja tha se njihte edhe Elton Çiçon, duke kujtuar se kishte qenë në të njëjtën tavolinë me të momentin e vrasjes.