Sipas rezultateve paraprake zyrtare, zgjedhjet e Bundestagut i ka fituar Partia Socialdemokrate, SPD, e cila arriti të marrë 25,7% të votave.
Sipas rezultateve të bëra të ditura nga drejtuesi federal për zgjedhjet të hënën në mëngjes, zgjedhjet e Bundestagut i kanë fituar socialdemokratët më 25,7%, kurse Unioni konservator i CDU/CSU-së renditet i dyti me 24,1%. Të Gjelbrit renditen të tretët me 14,8%, të ndjekur nga FDP-ja (Liberal-Demokratët) me 11,5% dhe partia populiste e djathtë, AfD me 10,3%. E Majta arriti vetëm 4,9% të votave, dhe nuk kalon kuotën e 5%, por për shkak se arriti të marrë tre mandate të drejtpërdrejta, hyn në fuqi klauzola bazë e mandateve, kjo nënkupton që E Majta do të hyjë me 39 deputetë në Bundestag.
SPD-ja sipas këtyre të dhënave arrin të marrë 209 vende në parlament, kurse CDU-ja 151, CSU-ja 45, Unioni arrin së bashku 196 mandate. Të Gjelbrit kanë 118 deputetë në Bundestag, FDP-ja 92 dhe e AfD-ja 83. Pas shumë kohësh sërish një vend në Bundestag e merr edhe Shoqata e Zgjedhësve të Shlesvigut Jugor, sepse për partinë e pakicës së danezëve dhe frizëve nuk vlen kuota e 5% dhe klauzola e mandateve bazë.
Bundestagu i ri do të ketë më shumë deputetë se kurrë më parë. Sipas të dhënave zyrtare në të do të ulen 735 deputetë, me këtë tejkalohet numri rekord i 709 parlamentarëve të legjislaturës së kaluar. Shumica absolute arrihet me 368 deputetë.
Koalicionet e mundshme nga ana matematikore do të ishin një koalicion i SPD-së, Të Gjelbërve dhe liberalëve me 416 mandate, si edhe një aleancë e Unionit, Të Gjelbërve dhe liberalëve me 406 mandate. Për një koalicion SPD, E Majta dhe Të Gjelbrit nuk mjaftojnë votat.
Për të formuar qeverinë e re në Gjermani duhet të krijohet një koalicion dhe nëse duhet shumë kohë, siç tregojnë rezultatet, Angela Merkel mund të thyejë rekordin e mbajtur aktualisht nga Helmut Kohl dhe të bëhet udhëheqësja më e gjatë në pushtet në vend. Ajo pritet të qëndrojë në qeveri deri më 17 dhjetor.
Tani fillon pokeri i pushtetit
Social Demokratët janë ringritur pas goditjes së vitit 2017 dhe Konservatorët janë në rënie, por të dy kampet po pretendojnë kancelarinë. Në të gjitha këto, të Gjelbrit dhe liberalët e FDP, partitë e treta dhe të katërta, respektivisht, bëhen gjilpëra e vërtetë e peshores për të kuptuar se si do të duket qeveria e ardhshme. Orientimet e këtyre partive do të vendosin për fatin e ekzekutivit të ardhshëm. “Tani fillon pokeri i pushtetit”, titullohet Der Spiegel. Formimi i ekzekutivit të ri mund të zgjasë javë.
Olaf Scholz, kandidati i SPD, ministri aktual i financave dhe zëvendës i Angela Merkel në qeverinë e Koalicionit Grosse, foli nga Willy Brandt Haus menjëherë pasi u publikuan rezultatet fillestare. “Qytetarët duan që të ketë një ndryshim në qeveri dhe ata duan që kancelari të quhet Olaf Scholz”, tha ai, duke shprehur entuziazmin për “suksesin e madh” pas rënies së zgjedhjeve të mëparshme federale.
Më herët konservatori Armin Laschet kishte folur nga selia e CDU në Berlin, Konrad Adenauer Haus, ku kishte mbërritur edhe kancelarja: “Rezultati përfundimtar nuk është i sigurt. Ne do të bëjmë gjithçka për të krijuar një qeveri nën udhëheqjen e Unionit”, tha ai, duke pranuar, se nuk janë të kënaqur me rezultatin.