Opinione Fitorja e disiplinës strategjike

Fitorja e disiplinës strategjike

Nga Ditmir Bushati

Në një proces të bashkërenduar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Serbia më në fund pranoi zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit, të kërkuar me këmbëngulje nga Kosova. Me fjalë të tjera, njohjen e ndërsjellë të dokumentave të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Një element thelbësor, ndonëse jo i vetmi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy fqinjëve.

I.

Kjo është para së gjithash një fitore e disiplinës strategjike që dëshmoi udhëheqja shtetërore e Kosovës, e cila që në nisje të procesit të dialogut ka vendosur theksin te dialogu në kushte të barabarta, në themel të të cilit qëndron njohja e ndërsjellë dhe zhbllokimi i rrugës europiane. Disiplina strategjike dhe sintonia e institucioneve shtetërore u dëshmua edhe në momentet më delikate, ku siç ndodh rëndom në ndërmjetësimet ndërkombëtare, palës më të “dobët” i kërkohet të bëjë lëshime. E në të tilla raste, aktivizohet edhe kori i të paduruarve dhe interesaxhinjve që e kanë të pamundur të kuptojnë se rruga e mbrojtjes së interesit kombëtar me dinjitet e kurajë është gjithnjë më e vështira por rruga e duhur.

II.

Disiplina strategjike duhet të thellohet më tej teksa Kosova do të përballet me kërkesat në rritje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar në Bruksel gjatë kësaj dekade. Nga mënyra sesi janë përfunduar disa prej atyre marrëveshjeve duhet të nxirren mësime. Dëmi mund të riparohet vetëm përmes ndërtimit të konsensusit politik në përcaktimin e vijës së pakalueshme të funksionalitetit të Kosovës shtet, dhe në partneritet të ngushtë me aleatët perëndimorë.

III.

Disiplina strategjike e ndjekur nga Kosova do të çmontojë edhe tezën e shumëpromovuar sipas të cilës në këtë proces është vetëm Kosova ajo që ka nevojë për njohjen nga ana e Serbisë. Mesa duket u desh qëndrimi i prerë i Kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës së tij në Beograd para pak javësh për ta ngulitur një herë e mirë në mendje se, pa njohje të Kosovës nga ana e Serbisë nuk ka rrugë europiane për këtë të fundit.

Një dekadë më parë Vuçiç erdhi në krye të Serbisë me premtimin që do të zgjidhte “çështjen e Kosovës” duke hapur rrugën e Serbisë drejt BE-së. Ai tentoi të rishpikë veten duke u “arratisur” nga e shkuara e tij e errët në konfliktet e përgjakshme në ish-Jugosllavi. Perëndimi e mbështeti në funksion të paqes dhe prosperitetit të rajonit, duke i dhënë statusin e vendit kandidat dhe duke e pranuar Serbinë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjithashtu, Serbia firmosi partneritetin individual me NATO-n, duke zhvilluar ndërveprueshmërinë me aleancën brenda suazës së politikës së saj neutrale.

Më shumë se dy dekada nga përmbysja e regjimit të Millosheviçit është fakt se mbështetja e Perëndimit ndaj udhëheqjes në Serbi nuk ka sjell as demokratizim dhe as europianizim të saj, dhe as hapa vendimtarë për të përmbyllur konfliktin me Kosovën, e për të trajtuar me vërtetësi e përgjegjësi krimet e së shkuarës, siç na tregojnë shembujt e botës së civilizuar ku duam të bëhemi pjesë.

Mirëpo, duke pasur parasysh kontekstin e sigurisë sot në Europë, si pasojë e agresionit të Rusisë kundrejt Ukrainës, laku i Serbisë në lojën e lisharësit mes Perëndimit dhe Rusisë, sa vjen e ngushtohet. Në këtë luftë që po zhvillohet në kontinentin tonë, më mirë se kushdo tjetër, Europianët kanë kuptuar gabimin e madh të mbështetjes për vite me radhë tek Rusia në lëmin ekonomik, me shpresën se bashkëpunimi ekonomik do të shërbente edhe si zbutës i mosmarrëveshjeve politike. Qasja “fillimisht ekonomia e më pas politika” ra jo vetëm në raport me Rusinë, por edhe në raportin e komplikuar të SHBA-ve me Kinën që po zhvillohet në hapësirën e Indo-Paqësorit.

Vështruar në këtë kontekst, Serbia, në raport me Kosovën, është mbi të gjitha para zgjedhjes së rrugës europiane, e cila për të është domosdoshmëri. Serbia mund të zgjedhë me dinakëri rehabilitimin e saj në rajon dhe Europë duke e diferencuar Shqipërinë nga Kosova, por koha do të tregojë se pajtimi shqiptaro-serb, paqja dhe mirëqenia e qëndrueshme kalon vetëm përmes Kosovës. Ndaj, adresa e vetme ku duhen përqendruar energjitë është procesi i dialogut Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja me mbështetjen e SHBA-ve. Një proces që për objektiv të vetëm duhet të ketë njohjen e ndërsjellë dhe zhbllokimin e rrugës europiane, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për të gjashtë shtetet e rajonit tonë.