Pas fitores së populistëve të djathtë në zgjedhje, në Holandë ka nisur kërkimi i vështirë për partnerë koalicioni. Fituesi i zgjedhjeve, Geert Wilders, deklaroi se dëshiron të qeverisë.
Holanda u zgjua me një skenar të ri politik pas një nate emocionuese zgjedhore. Me 37 nga gjithsej 150 vende në parlament, Geert Wilders, i cili padyshim u befasua edhe vetë, dhe Partia e tij për Liri (PVV) arritën të dyfishonin numrin e votave në krahasim me zgjedhjet e mëparshme ku kishin fituar 17 të tilla.
Fituesi i zgjedhjeve holandeze Geert Wilders (PVV) njoftoi se dëshiron të qeverisë. Votuesi ka folur, tha populisti i krahut të djathtë për televizionin holandez. Ai mendon se tani të gjithë duhet të dalin nga vetja. Për të marrë një shumicë, Wilders ka nevojë për të paktën dy partnerë koalicioni. Për momentin nuk është e sigurt, se do të mund t’i gjejë ata.
Kreu i listës së aleancës mes socialdemokratëve dhe të gjelbërve, ish-komisioneri evropian Frans Timmermans, bëri thirrje për mbrojtjen e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Ai u kërkoi mbështetësve të tij që të angazhohen për të drejtat e emigrantëve dhe myslimanëve. Timmermans, u shfaq luftarak, pothuajse patetik dhe u premtoi të gjithë të frikësuarve nga rezultati i zgjedhjeve se do t’u qëndronte pranë. “Ne jemi demokratë,” tha Timmermans. “Demokracia ka folur. Tani është koha që ne të mbrojmë demokracinë.”
Urime nga populistët e djathtë nga Evropa
Wilders mori urime nga përfaqësues të disa partive populiste të djathta në Evropë. Kryetarja e AfD-së gjermane, Alice Weidel foli për një sukses të madh në shërbimin online X. Kryeministri hungarez Orban si dhe politikanët populistë të djathtë Salvini në Itali dhe Le Pen në Francë e uruan gjithashtu.
Vëzhguesit tani presin që formimi i një qeverie në Holandë të kërkojë kohë. Ish-koalicioni i qendrës së djathtë u shpërbë verën e kaluar për një konflikt mbi politikën e migrimit.
Rezultatet jopërfundimtare u publikuan natën nga agjencia e shtypit ANP. Sipas kësaj përllogaritjeje, PVV merr 37 nga 150 vendet në Parlamentin e Hagës. Kjo do të përfaqësonte më shumë se dyfishin e numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet e fundit.
Një aleancë midis socialdemokratëve dhe të Gjelbërve do të vinte në vendin e dytë me 25 vende. Sipas parashikimeve, Partia Popullore liberale e krahut të djathtë (VVD) e kryeministrit në largim Marcus Rutte është shumë prapa. Ajo humbi 10 vende dhe do të merrte vetëm 24 mandate. Partia e re NSC e ish-deputetit kristian-demokrat Omtzigt, sipas vlerësimeve, mund të marrë 20 vende.
Revoltë nga e djathta
René Cuperus, analist politik në Institutin Clingendael, u shpreh për një “tronditje” për vendin. Atij i vjen keq për rezultatin, sepse njerëzit në Holandë kishin shpresuar të jepnin një kundërshembull për suksesin e populizmit në mjaft vende të botës.
Shpresonim se në ndryshim nga Italia apo SHBA me Trump-in, të mund të “kryenim një revoltë në qendrën politike”. Shkak për këtë supozim ishin, ndër të tjera, dy partitë e reja – një parti e fermerëve dhe partia e re e ish-kristian-demokratit Pieter Omtzigt, “Nieuw Social Contract”.
E paqartë nëse partitë e tjera do ta pranojnë një pakt me Wildersin
Gjasat janë që lëvizja Fermer-Qytetar të pranojë, Omtzigt më tepër jo, dhe kryetarja e listës VVD, Dilan Yesilgöz, kishte siguruar gjatë fushatës elektorale se nuk do të ishte pjesë e një kabineti në të cilin Wilders do të ishte kryeministër.
Mesazhi i votuesve është i qartë. Holandezët duan një qeveri të krahut të djathtë që merr seriozisht shqetësimet e qytetarëve dhe trajton varfërinë, krizën e strehimit dhe flukset e tepërta të refugjatëve. Shoqatat islamike, organizata e ndihmës për refugjatët, mbrojtësit e klimës dhe organizatat mjedisore reaguan me shqetësim ndaj rezultatit të zgjedhjeve./DW