Kryesore “Fjalën ‘Perëndim’ e kam eliminuar nga fjalori im”

“Fjalën ‘Perëndim’ e kam eliminuar nga fjalori im”

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelarja gjermane Merkel dhe këshilltari i saj jashtëm Christoph Heusgen në 2017 gjatë një fluturimi nga Trieste në Paris

Christoph Heusgen ka punuar për 12 vjet si këshilltari kryesor i kancelares gjermane, Angela Merkel, për politikën e jashtme. Në një intervistë për Der Spiegel, ai flet për sukseset e kancelares, gabimet, natyrën amatore të qeverisë së Donald Trump dhe qasjen e duhur ndaj Kinës gjithnjë e një rritje.

Zoti Heusgen, ju keni qenë këshilltar për politikën e jashtme i kancelares Angela Merkel që nga koha kur ajo mori detyrën në 2005 deri në 2017. Merkel konsiderohet përkrahësja kryesore e realpolitikës, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. Sa u befasua Berlini nga realiteti në terren në Afganistan?

Nuk pati befasi vetëm në qarqet e politikës së jashtme gjermane – të gjithë u habitën nga dinamika që u zhvillua në Afganistan.

A nuk duhej ta kishim parashikuar vetë që talebanët do të merrnin përsëri pushtetin në vend?

Në parim, ishte e drejtë që ne të angazhoheshim në Afganistan, si ushtarakisht ashtu edhe në aspektin e politikave të zhvillimit. Por ne bëmë gabimin që nuk e nxitëm fort qeverisjen e mirë të udhëheqësve afganë. Ndihmës tonë, ne duhej t’i shtonim kushte shumë më të rrepta. Duke parë faktin se politikanët afganë menduan para së gjithash për veten dhe klanet e tyre, nuk është për t’u habitur, tani që e sheh në retrospektivë, se kjo qeveri nuk ishte në krah të popullatës dhe forcave të sigurisë. Kur gjërat u bënë serioze, të gjithë ia mbathën. Këtë duhej ta kishim parashikuar.

A mendoni se Perëndimi mund të kishte sukses në Afganistan nëse gjërat do të ishin bërë ndryshe?

Personalisht, mendoj se duhet të kishim qëndruar më gjatë në Afganistan, ashtu siç bënë amerikanët për dekada të tëra në Japoni, Korenë e Jugut dhe Gjermani. Dallimi kryesor ishte se qeveritë atje ndihmuan në ndërtimin e demokracisë dhe institucioneve dhe ata kishin edhe mbështetjen e njerëzve.

Çfarë ju ka mërzitur më shumë: negociatat me talebanët nën ish-presidentin amerikan Donald Trump apo tërheqja e pakushtëzuar nën Joe Biden?

Administrata Trump ishte një rrëmujë amatore, diplomatike. Ishte gabim i rëndë marrëveshja me talebanët dhe lënia mënjanë e qeverisë afgane që kishte marrë mbështetje për vite me radhë. Vendimi i Biden ishte logjik dhe konsistent. Ai e di se sa e kushtueshëm ka qenë qëndrimi për 20 vjet i trupave në Afganistan dhe sa pak kjo mbështetej në SHBA, por prapë do të doja që ai të kishte vendosur ndryshe.

A ishte Afganistani disfatë për Perëndimin?

Unë në fakt e kam eliminuar termin “Perëndim” nga fjalori im.

Pse?

Nga këndvështrimi im, sot nuk bëhet fjalë më për një mosmarrëveshje midis Perëndimit dhe Lindjes, por midis shteteve që i përmbahen një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, Kartës së Kombeve të Bashkuara, Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut; dhe nga ana tjetër, atyre shteteve që nuk u përmbahen. Këto parime nuk janë perëndimore, por universale. Perëndimi është bërë një fjalë me konotacion negativ që e përdorin rusët dhe kinezët kundër nesh, krah fjalisë: Perëndimi është lajm i djeshëm.

Cili është vlerësimi juaj për politikën e jashtme në epokën e Merkelit?

Gjatë katër viteve të fundit në Nju-Jork (Heusgen ka qenë ambasador i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara), unë kam parë që Gjermania ka një reputacion të shkëlqyer, kjo pjesërisht falë kancelares së saj. Kur kthehem në Gjermani, thjesht mund të tund kokën para bashkatdhetarëve të mi bezdisës, të cilët ankohen për kaq shumë gjëra. Në Nju Jork na kanë zili dhe na shohin si modeli i një vendi që punon mirë dhe i një kancelareje largpamëse, e cila, për 16 vjet me radhë ka garantuar besueshmëri, stabilitet dhe ka menaxhuar krizat në mënyrë të balancuar. E kam fjalën këtu për kriza që nga ajo e euros, te kriza financiare, kriza në Ukrainë dhe ajo e refugjatëve. Kur bëhet fjalë për krizën e refugjatëve, veçanërisht, perceptimet në Gjermani dhe jashtë saj ndryshojnë shumë. Kolegia ime amerikane Susan Rice më tha në atë kohë se politika e refugjatëve ia kishte ndryshuar njëherë e përgjithmonë pikëpamjen e saj për Gjermaninë. Hapja e kufirit për refugjatët sirianë në vitin 2015 ishte diçka e madhe për reputacionin e vendit tonë.

Menaxhimi i krizave konsiderohet trashëgimia që lë pas Merkeli. Por a nuk duhet që qëllimi i një politike të jashtme të suksesshme të jetë shmangia e krizave, ndjekja e politikave të ardhshme? Kriza e refugjatëve, në veçanti, mund të ishte shmangur nëse emigrantët në vendet fqinje të Sirisë do të trajtoheshin në një fazë të hershme.

Është e vërtetë që mund të ishte bërë më shumë. Ne kemi mësuar nga kjo. Sot, Gjermania është kontribuuesi i dytë më i madh financiar në Kombet e Bashkuara. Ne ofrojmë mbështetje të madhe edhe për Programin Botëror të Ushqimit dhe UNICEF.

A ka çështje për të cilat sot thoni: Duhet të kisha qenë më këmbëngulës, madje edhe me kancelaren. Për shembull, lidhur me tubacionin Nord Stream 2 në Detin Baltik thuhet se ju keni pasur gjithmonë një qëndrim më kritik se Merkel.

Më lejoni t’i përgjigjem në parim pyetjes tuaj. Roli im në Kancelari ishte ai i këshilltarit të politikës së jashtme. Megjithatë, vendimet shumë shpesh kanë dimensione të politikës ekonomike ose të brendshme që kancelari duhet t’i marrë parasysh. Nëse kancelarja merr një vendim, ju duhet ta pranoni atë. Ajo është politikane, unë jam nëpunës civil. Nëse nuk mund arrin ta pranosh këtë, atëherë duhet të gjesh një punë tjetër ose t’i futesh vetë politikës.

Ju do të mbaheni mend për disa deklarata të forta gjatë kohës që ishit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Cila është ndjesia e të dalit nga korniza diplomatike herë pas here?

Këto janë dy role krejtësisht të ndryshme. Si këshilltar i kancelares, nuk është puna ime të jem në sy të publikut, por kur ulem në Këshillin e Sigurimit, duhet të flas për Gjermaninë. Në një situatë në të cilën Rusia, Kina dhe Amerika e Trump-it kishin shkelur rendin ndërkombëtar, e pashë si detyrë që të mbroj ligjin ndërkombëtar deri në fund – veçanërisht në dritën e historisë së Gjermanisë. Unë shpesh kam mbajtur një qëndrim shumë të qartë për këtë, dhe shumë vende të tjera më kanë falënderuar për këtë. Edhe homologu im rus thotë se gjërat nuk janë më aq interesante sa në kohën kur unë isha atje.

Ju një herë keni pyetur presidentët e Kinës dhe Rusisë se si mundeshin ta shihnin veten në pasqyrë pasi u ndërprenë ndihmën humanitare 500 000 fëmijëve në Siri. A ishte ajo deklaratë e koordinuar me Berlinin?

Unë mendoj për formulime të tilla ndërsa jam duke bërë vrap. Nëse ka diçka që po ndodh në përmasa të mëdha, duhet të kesh parasysh se si ta shprehësh atë, në mënyrë që të dëgjohet. Për çështje të rëndësishme është i nevojshëm polarizimi.

Kancelarja është akuzuar si shumë naive në marrëdhëniet e saj me Kinën.

Kancelarja e ka pasur brenda radarit të saj fuqinë në rritje të Kinës, që në krye të herës. Ajo e dinte herët se vendi do të ishte një fuqi botërore. Kjo është arsyeja pse ajo ka udhëtuar në Kinë çdo vit që nga viti 2006 dhe ka filluar konsultimet me qeverinë. Kjo vëmendje intensive që iu kushtua Kinës ishte largpamëse dhe korrekte.

Shumë menduan se ajo ishte shumë optimiste për potencialin për ndryshim që krijonte nga tregtia.

Nuk jam dakord. Unë gjithashtu mendoj se marrëveshja e BE-së për investimet me Kinën, të cilën Merkel e mbështeti dhe punoi për të, është e drejtë. Ne duhet të shihemi sy më sy me Kinën. Kancelarja nuk ka qenë kurrë naive. Ajo ka ngritur shqetësime për të drejtat e njeriut me udhëheqësit kinezë, ka qenë kritike për situatën e ujgurëve dhe tibetianëve dhe ka ndihmuar që disidentët të largohen nga vendi. Ajo është ndalur shpesh në pikat e vështira dhe e ka bërë këtë në një mënyrë që e ka mbajtur gjallë diskutimin. Sigurisht, ne nuk duhet të kemi ndonjë iluzion. Kina është bërë një shtet totalitar nën udhëheqjen e Xi Jinping. Kjo nuk do të ndryshojë në të ardhmen e parashikueshme. Ne duhet të qëndrojmë në dialog me Kinën dhe gjithashtu të bëjmë biznes me të, por duke vepruar kështu, ne duhet të mbrojmë qartë parimet tona dhe të parandalojmë që botën ta drejtojnë rregullat kineze në të ardhmen.

Ju jeni anëtar i CDU-së. Çfarë e dallon një politikë të jashtme demokristiane nga ajo e Demokratëve të Lirë pro biznesit, të Gjelbërve ambientalistë apo Social Demokratëve të qendrës së majtë?

Si katolik dhe demokristian, fokusi për mua është tek njerëzit. Të drejtat e njeriut kanë qenë gjithmonë shtytja në mendësinë dhe aksionet e mira të politikës së jashtme. Patjetër që ka edhe mbivendosje me partitë e tjera.

A keni shpresë se Armin Laschet do të bëhet kancelar?

Po.

Po ju personalisht me çfarë do të merreni? A është e vërtetë që mund të pasoni Wolfgang Ischinger si kryesues i Konferencës së Sigurisë në Mynih?

Si kryetar i rrethit të bamirësve të Konferencës së Sigurisë në Mynih, tani do të luaj një rol edhe më të madh atje dhe do të punoj së bashku me kolegun tim të vjetër Wolfgang Ischinger. Përveç kësaj, unë kam marrë një pozicion si lektor në universitetin Sankt Gallen dhe jam shumë i kënaqur për këtë.

Intervista u realizua nga Christiane Hoffmann dhe Christoph Schult