Trajneri i Liverpulit u përcolli dje një mesazh tifozëve të klubit pas pezullimit të Premier League-s deri në fillim të prillit.
Në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare elektronike të Liverpool-it, Jurgen Klopp u shkruan ndër të tjera mbështetësve të skuadrës së drejtuar prej tij:
“Para së gjithash, të gjithë ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për ta mbrojtur njëri-tjetrin. E kam fjalën, në shoqëri. Kështu duhet të jetë gjatë gjithë kohës në jetë, por në këtë moment mendoj se vlen më tepër se kurrë.
E kam thënë dhe më parë se futbolli duket gjithmonë si gjëja më e rëndësishme e gjërave më pak të rëndësishme. Futbolli dhe ndeshjet e futbollit nuk janë vërtet fare të rëndësishme sot.
Vendimi dhe njoftimi i sotëm po zbatohen me motivin e mbajtjes së njerëzve të sigurt. Prandaj e mbështesim atë plotësisht… Ky virus ka treguar se të jesh pjesë e futbollit nuk të jep imunitet…
Asnjë nga ne nuk e di në këtë çast përfundimin, por si ekip duhet të kemi besim se autoritetet i marrin vendimet të mbështetur në moralitetin dhe gjykimin e shëndoshë.
Mesazhi nga ekipi për mbështetësit tanë është vetëm për qenien e tyre mirë. Vini shëndetin të parin… Mendoni për më të dobëtit në shoqërinë tonë dhe veproni ku është e mundur me dhembshuri për ta”, ishin fjalët e zgjedhura të trajnerit të famshëm gjerman.
Në Europë nuk ka më futboll, së paku për të ardhmen e afërt. Asnjë parashikim nuk është i mundur, por pesimistët thonë se sezoni futbollistik aktual mund të mos arrijë të mbyllet. Gjithçka është në varësi të përhapjes së koronavirusit.
Bundesliga u bë kampionati i fundit i pezulluar në ligat kryesore. Edhe në ato kampionate të vendeve europiane ku vijon të luhet akoma, dyert janë të mbyllura. Është futboll i cunguar, që nuk mund të rezistojë, ndoshta as një javë.
Liverpool-i rrezikon të humbasë në Premier League atë që e kishte pritur prej tridhjetë vitesh, trofeun e kërkuar sezon pas sezoni. Shkëputja e jashtëzakonshme në pikë me rivalët mund të shumëzohet me zero nëse vihen në punë skenaret më të errët. Thuajse e sigurt është se edhe nëse shpallet kampion, festimet do të jenë të mangëta, mbase të munguara fare.
Europiani i kësaj vere as që duket se do të luhet; rishikimi i kalendareve kur e keqja e koronavirusit të ketë kaluar e bën gati të pamundur zhvillimin e tij.
Çfarë po ngjet në botën e futbollit, posaçërisht në atë europian, mund të përmblidhet me dy fjalë: kaos dhe kolaps!