Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi gjatë një fjale me tone të forta të mbajtur në mbledhjen e Komitetit Drejtues të partisë theksoi se për këtë parti nuk është nevoja të “priten koka”.
“Shyqyr që ishte vendosur fjala meritokraci sepse kishim dy javë që dëgjonim vetëm fjalën nepotizëm dhe do të doja të dija çfarë do të thotë nepotizëm. Partia është bashkim vullnetar dhe jo përjashtim. Ky është ligji i partive politike dhe nëse ndonjë nga ju më gjen fjalën nepotizëm. Një parti politike është bashkim vullnetar dhe aty vlen meritokracia. Çështja e nepotizmit është një metodologji për të larguar njerëz që kanë kontributet e tyre.
Në një parti politike meritokracia ka rëndësi më shumë se sa servilizmi. Servilizmi i mbyll hapësirat. Tradhtarët në Partinë e Lirisë ku nga këta jam edhe unë një prej tyre, u kanë mbyllur dyert të rinjve dhe të rejave. Ajo që dua të theksoj është se prioritetet e Partisë së Lirisë nuk janë përjashtimet, por hapja e partisë dhe në fund të fundit edhe për të mësuar nga gabimet e Monika Kryemadhit, sepse nuk jam e pagabueshme. Partia e Lirisë nuk ka nevojë për prerje kokash se s’ka më koka të presim. Ka nevojë për një hapësirë të re për gra dhe vajza jo që keqpërdoren”.
Kryemadhi mori fajin e djegies së mandateve, por tha se siç është ajo fajtore janë të gjithë deputetet e PL që bënë atë veprim.
Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PL-së, Kryemadhi u shpreh se nepotizmi në parti nuk është fatkeqësi, ndërsa theksoi se beson me tepër tek institucioni sesa lideri.
“Djegia e mandateve që përmendet nga të gjithë ne. Unë jam fajtore, por siç jam unë faji fillon faji tek të gjithë deputetet që dogjën mandatet. Faj nuk është jetim. Fajin do ta marr unë. Nëse mua më kërkohet për vrasje politike të Bashës, nuk e konsideroj fare atë. Të gjithë jemi fajtor të asaj situate, por besuam në opozitarizëm, prandaj arritëm në atë gjë. Keni frikë për të uruar edhe Ditëlindjen Monika Kryemadhit. Duartrokitjet tuaja duhen për të mbledhur votat, për të takuar qytetarët, duhen për të falënderuar njerëzit që ju suportojnë. Sa i takon nepotizimit dua t’ju them një gjë. Në një parti politike nepotizmi nuk është fatkeqësi. Partia jone bazën dhe vlerën e ka te partia. Ne besojmë tek prindit, tek familja. Nuk besoj tek lideri, por tek institucioni”, tha Kryemadhi.
Po ashtu gjatë fjalës së saj ajo theksoi se nuk i rruhet fare as për SPAK-un dhe as për burgun.
“Shumë prej jush thirren dhe iu thonë distancohuni nga Monika Kryemadhi se do të shkojë në burg, nuk më rruhet fare as për burgun dhe as për SPAK-un. Sa kam parë kumbulla dhe fara luledielli në jetën time në këto 30 vjet, si puna e tyre do hyjnë dhe do dalin sa të duash. Halli im nuk është halli juaj, halli juaj është halli im”, theksoi ajo.