Bota Fjalimi i gjatë i Trump mbyll Konventën e Republikanëve, pranon nominimin presidencial...

Fjalimi i gjatë i Trump mbyll Konventën e Republikanëve, pranon nominimin presidencial republikan

Pas disa javësh të trazuara që kanë përmbysur politikën amerikane, Donald Trump u përpoq të jepte një mesazh uniteti dhe fuqie ndërsa pranoi nominimin presidencial republikan për herë të tretë.

Duke mbajtur me krenari emërimin si kandidat zyrtar për president i Partisë Republikane, ish-presidenti Trump premtoi se do të veprohet në mënyrën e duhur.

“Unë po kandidoj për të qenë President për të gjithë Amerikën, jo gjysmën e Amerikës, sepse nuk ka fitore pa gjithë SHBA-në”, tha ai.

Ai falenderoi popullin amerikan për dashurinë dhe mbështetjen që mori pas atentatit të dështuar ndaj tij.

“Kur dëgjova një tingull të fortë dhe ndjeva se diçka më goditi me të vërtetë, shumë fort në veshin tim të djathtë, thashë me vete: ‘Uau, çfarë ishte kjo? Mund të jetë vetëm një plumb. Dhe e lëviza dorën e djathtë te veshi, dhe u ula poshtë. Plumbat vazhdonin ndërsa agjentë shumë të guximshëm të Shërbimit Sekret nxituan në skenë. Pata Zotin në anën time. Nëse nuk do të kisha lëvizur kokën në atë moment, plumbi i vrasësit do të kishte goditur në shenjë dhe unë nuk do të isha këtu sot me ju. Nuk do të ishim së bashku.”

Ai në skenë i bëri homazh zjarrëfikësit që humbi jetën në tubim në Pensilvani teksa mbrojti vajzat nga të shtënat.

Duke folur për konfliktet në Evropë, Lindjen e Mesme dhe një spektër në rritje konfliktesh të mundshme në Azi, ish-presidenti Trump tha se ka ardhur koha për ndryshim dhe për njerëz të fortë.

“Rusia sulmoi Gjeorgjinë nën presidentin Obama. Rusia mori Krimenë nën administratën e tanishme. Rusia tani do të gjithë Ukrainën. Nën presidentin Trump, Rusia nuk mori asgjë. Është shndërruar në një planet lufte. Kina gjithashtu kërkon Tajvanin dhe anijet dhe nëndetëset bërthamore ruse janë pranë bregdetit të Kubës.”

Ish-presidenti Trump u bëri thirrje demokratëve të heqin dorë nga gjuetia e shtrigave që kanë bërë kundrejt tij përgjatë tetë viteve ndërsa u shpreh se procesi zgjedhor i 5 nëntorit duhet të jetë në nivelin e merituar nga amerikanët.

Ish-presidenti kritikoi drejtpërsëdrejti presidentin Biden, emrin e të cilit u zotua se nuk do ta përmendte më gjatë fjalimit. Ai u shpreh se mbetet ndër dhjetë presidentët më të këqinj amerikanë. Trump premtoi se do të luftojë inflacionin, do të ulë taksat dhe përfundimin e shumë konflikteve që kanë ndodhur nën administratën Biden.

“Duhet t’i lehtësojmë ekonomikisht qytetarët tanë, duke ja filluar që nga dita e parë. Do t’i ulim çmimet dhe do ta bëjmë Amerikën sërish të përballueshme”.

Mes të tjerash duke përsëritur akuzat se nga shumë vende po vijnë drejt kufijve të Amerikës persona me historik penal, ai u zotua sërish për të bërë operacionin më të madh të deportimit në historinë e Amerikës dhe do të vijojë të ndërtojë murin në kufirin jugor për të ndalur ardhjet e paligjshme.

Familja Trump ishte e pranishme në skenë për të mbështetur ish-presidentin amerikan, por ajo që mori gjithë vëmendjen gjatë konventës maratonë ishte prania e ish zonjës së Parë Melania Trump e cila prej kohësh nuk kishte dalë në publik.