Pas fitores spektakolare me përmbysje ndaj Interit, që në minutat shtesë i dhuroi Milanit Superkupën e tetë të Italisë në histori, Zlatan Ibrahimovic, Këshilltar i Lartë i RedBird për kuqezinjtë, mbajti një fjalim para lojtarëve në dhomat e zhveshjes së stadiumit “King Saud University” në Riad, dhe klubi e publikoi videon në rrjetet e tij sociale.
FJALËT E IBRAHIMOVIC
“Arritëm një nga objektivat tona – filloi Ibrahimovic -. Ajo që kërkonim ishte një reagim: kjo (duke treguar trofeun) është reagimi ynë. Para se të flas, dua të përgëzoj trajnerin dhe stafin e tij: në pak ditë keni bërë një punë të shkëlqyer (duartrokitje). Më mirë që kishe temperaturë, Sergio, përndryshe do të kishte plasur më shumë se një televizor… Përgëzime edhe për lojtarët (duartrokitje). Këtë trofe e fituat me djersë, sakrificë dhe dëshirë për të fituar. Kur një skuadër ka këtë dëshirë për të fituar, është e vështirë ta mundësh, është e vështirë, djem… Kur e nisëm kampionatin, ju thashë se gjithçka varet nga ne, sepse gjithçka është në kokë. Sot e treguat. Tani kthehemi në Itali, marrim këtë mentalitet dhe rikuperojmë pikët për të qenë aty ku duhet të jemi.
Pastaj, përgëzime edhe për të gjithë ata që ishin me ne në skuadër (duartrokitje): është edhe merita juaj, edhe pse nuk jeni të famshëm apo në fushë, por jeni të rëndësishëm po aq sa ata që luajnë. Djem, ky është Milani, ne luajmë për këto trofe: kush dëshiron të hyjë në historinë e Milanit duhet t’i fitojë këto kupa. Djem, me tre: Forca Milan! Një, dy, tre: FORCA MILAN!”
MESAZHI I GERRY CARDINALE
Pas trofeut të parë të epokës RedBird, Gerry Cardinale, i cili nuk ishte i pranishëm në Riad, dërgoi një mesazh për skuadrën përmes këshilltarit të tij Ibrahimovic, siç raporton “Corriere della Sera”:
“Urime për këtë rezultat të jashtëzakonshëm. Të fitosh këtë kupë dhe ta bësh në një derbi ishte diçka e veçantë dhe diçka për të cilën duhet të ndiheni thellësisht krenarë. Deri tani, sezoni ka qenë sfidues, por shijojeni këtë moment dhe me këtë shtysë kthehuni në Itali për të rivendikuar vendin që i takon Milanit në majat e Serie A. Ju përqafoj të gjithëve dhe jam me ju në çdo moment”.