Bota Fjalimi i Putin: Çfarë tha dhe pse është fjalimi më i rëndësishëm...

Fjalimi i Putin: Çfarë tha dhe pse është fjalimi më i rëndësishëm i 20 viteve të fundit

Nga Andrea Marinelli – Corriere della Sera

Putin shpalli njohjen e republikave separatiste të Donbasit, duke shpjeguar se Ukraina moderne është një “krijim” i Bashkimit Sovjetik. Ai citoi Leninin, por edhe Stalinin, Hrushovin dhe Gorbaçovin. Pas tij, flamuri i Romanovëve.  Analiza e fjalimit:

Vetë ideja e Ukrainës, tha Vladimir Putin në fjalimin e tij televiziv drejtuar kombit, gjatë së cilit shpalli njohjen e republikave separatiste të Donetskut dhe Luganskut, “është një shpikje” e Leninit. “Ukraina moderne u krijua tërësisht nga Rusia, nga Rusia bolshevike dhe komuniste”, argumentoi “Cari” i Kremlinit, në një riinterpretim historik të përcaktuar nga analistët si “ekstrem” edhe pwr standardet e tij, ato të një lideri që beson se kolapsi i Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e keqe gjeopolitike e shekullit të njëzetë. “Ky proces filloi pas revolucionit të 1917”, shpjegoi Putin. “Lenini dhe shokët e tij e çuan përpara duke shkëputur brutalisht nga Rusia disa pjesë historikisht ruse pa i pyetur asnjëherë rusët për këtë”

Në realitet, popujt rus dhe ukrainas të dy rrjedhin nga fisi Rus i Kievit, tribu sllave, baltike dhe ugrianëve, të cilët në shekullin e nëntë krijuan një entitet monarkik që përfshinte një pjesë të territorit aktual të Ukrainës, Bjellorusisë dhe Rusisë. Identiteti dhe kultura ruse lindi atëherë: Kievi, kryeqyteti ukrainas, u themelua qindra vjet përpara Moskës, edhe pse kufijtë, feja dhe popullsia e Ukrainës ndryshuan disa herë gjatë një mijëvjeçari. Megjithatë, kur themeloi shtetin e parë socialist në botë, më 30 dhjetor 1922, Lenini në mënyrë efektive pengoi lindjen e një shteti të pavarur ukrainas: gjatë epokës sovjetike, gjuha ukrainase ishte e ndaluar në shkolla dhe në kulturën lokale, shkruan New York Times, ajo mund të transmetohej vetëm përmes karikaturave qesharake të Kozakëve që kërcenin.

Prandaj, ishte Bashkimi Sovjetik i shkatërruar i udhëhequr nga Mikhail Gorbaçov ai që lejoi Ukrainën të bëhej e pavarur “pa kushte”, shtoi Putin, duke e quajtur vendimin një “çmenduri”. Por në vitin 1991 nuk ishte Moska ajo që dha pavarësinë, por ishte populli ukrainas që e mori atë: më 21 janar 1990 mbi 300,000 ukrainas organizuan një zinxhir njerëzor midis Kievit dhe Lvivit, më pas më 24 gusht 1991 u shpall lindja e një shteti ukrainas të pavarur nga BRSS, dhe më 1 dhjetor votuesit miratuan referendumin që sanksionoi pavarësinë e Ukrainës. Prandaj nuk është një “gabim historik”, siç thotë Putin, por një vullnet politik dhe demokratik. Një vullnet që më pas Bashkimi Sovjetik mori përsipër ta respektonte, me kusht që Kievi të hiqte dorë nga arsenali i tij bërthamor.

Nëse Lenini ishte “autori dhe krijuesi” i Ukrainës, sipas Putinit, edhe Josif Stalini, i cili drejtoi Bashkimin Sovjetik nga viti 1922 deri në vdekjen e tij në 1953, kishte përgjegjësinë që i lëshoi Ukrainës “disa territore që më parë i përkisnin Polonisë, Rumanisë dhe Hungarisë” dhe më pas “Nikita Hrushov në 1954 mori Krimenë nga Rusia dhe ia dha Ukrainës. Dhe kështu, – deklaroi Putin, – u formua territori i Ukrainës Sovjetike”. Ky riinterpretim historik fsheh në fakt dy obsesione të presidentit: nga njëra anë, Putin mund të justifikojë një ndërhyrje ushtarake, duke argumentuar se ai nuk do të cenonte sovranitetin e një shteti tjetër, sepse, në fakt, Ukraina është pjesë e Rusisë; nga ana tjetër, fjalët e tij zbulojnë një ambicie “cariste”, obsesionin për të përputhur kufijtë e vendit të tij me ato të Rusisë perandorake.

“Nuk është më e rëndësishme se cila ishte ideja e liderëve bolshevikë, të cilët e copëtuan vendin”, shkroi ai vitin e kaluar në një artikull të gjatë në të cilin argumentonte se Ukraina dhe Rusia ishin një shtet i vetëm. “Ne mund të mos pajtohemi për detajet e vogla, sfondin dhe logjikën pas vendimeve të caktuara. Por një gjë është e sigurt: Rusia u grabit”, shpjegoi Putin, një koncept që ai përsëriti në fjalimin e së hënës, me të cilin u kthye 100 vjet prapa dhe që mishëron vizionin e presidentit rus. Nuk janë vetëm gabimet e Leninit, Stalinit dhe Hrushovit, të numëruara thuajse me përbuzje, ato që zbulojnë këtë ambicie perandorake të Putinit, por edhe skenografia dhe ikonografia e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të transmetuara sikur ishte drejtpërdrejt në televizion, por orët e pjesëmarrësve shënonin një kohë tjetër.

Me flamurin Romanov pas tij – atë me shqiponjën dykrenare të artë dhe mburojën me Shën Gjergjin, simbolin e Moskës, duke vrarë një gjarpër me shtizë, i kthyer në 1993 pas 70 vitesh pushim – presidenti dominon sallën e madhe në Kremlin.

Ai është ulur në njërën anë, me bashkëpunëtorët e tij kryesorë – dhe të bindur – të vendosur në një gjysmërreth rreth dhjetë metra larg, të cilët ngrihen me radhë për të folur në mikrofon dhe për të mbështetur linjën e Putinit: ata që propozojnë një qasje më të butë, si shefi i inteligjencës së huaj Sergej Naryshkin, i cili sugjeron t’i jepet një shans i fundit Perëndimit, poshtërohen nga “cari” i bezdisur dhe i paduruar; të tjerë, si ministri i Brendshëm Vladimir Kolokoltsev, shkojnë më tej, duke sugjeruar që të marrin të gjithë Donbasin, jo vetëm zonën në duart e pro-rusëve.

Në të majtën ekstreme të grupit të dymbëdhjetë besnikëve të presidentit, është e vetmja grua, Valentina Matvienko, e cila ishte zëvendëse e kryeministrit Yevgeny Primakov – rivale e madh i Putinit – midis 1998 dhe 1999, por që më pas iu afrua liderit të ri duke u bërë në vitin 2003 guvernatore e Shën Petersburgut, ose e qytetit të Putinit, dhe më pas në 2011 presidente e Këshillit Federal, Senati rus i cili duhet t’i japë presidentit lejen për të përdorur ushtrinë jashtë vendit. Karriera e saj ndihmon për të kuptuar historinë dhe dinamikën politike ruse, por mbi të gjitha cilësitë e nevojshme për t’i hapur rrugë vendit të Putinit: bindja e pakushtëzuar ndaj udhëheqësve të tyre, kushdo qofshin ata, dhe aftësinë për të mbështetur çdo axhendë politike dhe më pas, në një kthesë, pikërisht e kundërta.

Në fund të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Putin iu drejtua kombit të tij dhe me ton të ashpër tha “i korrigjoi gabimet” e bëra nga udhëheqësit bolshevikë, fshiu Ukrainën dhe e ktheu Rusinë saktësisht 100 vjet prapa.

Presidenti nënshkroi më pas dekretin për njohjen e pavarësisë – dhe aneksimin de facto, siç ndodhi në vitin 2014 me Krimenë – të Republikave të Donetsk dhe Lugansk dhe dërgoi ushtrinë në Donbas, për të zgjidhur një emergjencë humanitare për të cilën flasin vetëm mediat shtetërore ruse. Megjithatë, në mes të fjalimit të tij, Putin la edhe një gjurmë tjetër, kur flet për “tragjedinë e tmerrshme në Odessa, ku demonstruesit paqësorë u vranë brutalisht, u dogjën të gjallë në Shtëpinë e Sindikatave”. Atë ditë, në Odessa, 38 pro-rusë vdiqën dhe “fajtorët”, pohon Putin, “nuk janë dënuar kurrë, por ne i dimë emrat e tyre dhe do të bëjmë gjithçka për t’i sjellë para drejtësisë”. Në këtë pasazh, disa vëzhgues kanë lexuar lëvizjen e radhës të “carit”: të shkojë deri në Odesa, zyrtarisht për të bërë drejtësi.