Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Twitter, akuzoi opozitën se “është e zhytur shumë më thellë se sa duket në thesin e parave ruse“.
“Rublat vazhdojnë të flasin mbrapsht në Tiranë, siç folën në 2011 përmes votës KUNDËR Kosovës, e vetë Shqipërisë dhe PRO Rezolutës famëkeqe, që lemerisi botën me shkulësit e organeve shqiptarë! Opozita e rublave është e zhytur shumë më thellë se sa duket në thesin e parave ruse“, shkruan Rama në rrjetin social.
“Edi Rama u nxori dje nostalgjikëve mallin e Enver Hoxhës”, kështu e etiketoi Partia Demokratike fjalimin e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, ku kërkoi mbështetje për një raport të ri që rrëzon pretendimet e Dick Marty-t për krime lufte nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Me të njëjtën mbipeshë, të njëjtën stërzgjatje, me gishtin e ngritur lart, madje edhe kostumin e gjerë të udhëheqësit lindor, me mendjen e tij, ai e vuri poshtë “kampin kapitalist”. Duke e ditur se ishte para jurisë europiane, ai u kthye vetë në prokuror dhe në gjykatës. Ai i “ktheu tavolinat” në një akt prej gangsteri politik. Fjala e tij ishte një imitimit i shëmtuar, një kolazh a-historik i fjalimeve të Fidel Castros, Enver Hoxhës dhe Muamar Gedafit. Në pamje të parë patriotik, por në esencë antishqiptar, Rama foli sikur të ishte Lukashenko i Bjellorusisë. Kryetari i një republike me rekord të zi në të drejtat e njeriut, media dhe demokraci. Në këtë kuptim i foli subkoshienca”, tha Garo.