Kryeministri Edi Rama ka mohuar zërat sipas të cilëve, në përfundim të fjalimit të mbajtur në mocionin me debat në Kuvend, paralajmëroi një tjetër shpallje non grata.
Në një reagim në Twitter, kreu i qeverisë shprehet se, gjatë fjalimit të tij, thjesht kujtoi se politika amerikane është një qasje strategjike dhe jo “muhabet leku, gjize e byreku.”
“Nuk kam paralajmëruar asnjë nongrata! Thjesht kam kujtuar se politika e amerikane nuk është muhabet leku, gjize dhe byreku siç e bëjnë nongratat e Tiranës, po qasje strategjike që as varet as ndryshon nga retë në pantallonat e gjelave të katundit tonë politik! Normal që vazhdon”, shkruan në Twitter
Gjatë fjalimit të djeshëm në Kuvend, teksa mohonte akuzat e bërë në drejtim të tij për çështjen McGonigal dhe ndikimin që mund të ketë pasur në shpalljen non grata të Sali Berishës, Rama pyeti: Si mund ta mendoni që SHBA furnizohen nga unë dhe gjiza ime..”?
“Ju presim më 14 maj për të na mundur siç na keni mundur gjatë këtyre 9 viteve. Deri atëherë, kujdes se byrektorja vijon punën, gjiza ka arritur dhe hokllaia po ushtron brumin tjetër për tavën që pret të hyjë në furrën e rindezur. Personin në fjalë do e shihni vetë”, shtoi kryeministri.