Zhurma e anijeve të peshkimit nuk dëgjohet më. Uzinat janë mbyllur dhe turistë nuk ka.
Në lagunën shqiptare të Nartës, pandemia e koronavirusit po ”negocion” me flamingot që shëtisin aty, me siluetën e tyre elegante në një numër gjithnjë e në rritje.
Qetësia mbretëron tashmë në këtë hapësirë kënetore të ujit të kripur që ndodhet në veri të bregdetit të Vlorës, ndarë nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë bregdetar, ku ujërat e kaltra shkëlqejnë nën diellin e pranverës.
”Në situatën aktuale, kemi ndryshuar rolet, njeriu është i kufizuar, ndërsa fauna ka përfituar nga liritë që i janë dhënë nga natyra”, thotë Nexhip Hysolokaj, specialist i biodiversitetit.
Laguna e Nartës është një zonë e mbrojtur, por me kalimin e viteve, aktiviteti njerëzor dhe urbanizimi kanë shkaktuar dëme mbi mjedisin duke kërcënuar ekosistemet.
Sidoqoftë, pas shfaqjes së çështjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri, më 9 mars, autoritetet zbatuan masa jashtëzakonisht shtrënguese, që ndërprenë jetën e vendit.
“Në Nartë, kjo do të thotë se varkat e peshkimit, motorët e të cilëve shqetësojnë zogjtë nuk dalin më, nuk ka më dhjetëra tragete dhe anije që kryenin çdo ditë linjën me Italinë dhe Greqinë duke u nisur nga porti i Vlorës aty pranë”, shton Nexhip Hysolokaj, kreu i zonës së mbrojtur.
Rezultati është rilindja për dyzet speciet e shpendëve shtegtarë që popullojnë këtë parajsë ornitologjike, me ishujt e vegjël të gjelbër dhe kodrat e saj me të mbjella.
Sipas një regjistrimi të realizuar nga personat përgjegjës për këtë vend, në janar ishin 1 961 flamingo, të ardhur nga Afrika, Italia, Greqia, Spanja dhe Camargue, në Francë.
Sot, ata janë më shumë se 3 000 që i ”gëzohen” lagunës.
Por, këtë vit, ekspertët shpresojnë se qetësia, e shoqëruar me bollëkun e ushqimit do t’i bëjë zogjtë të qëndrojnë për t’u riprodhuar dhe për të bërë fole.
“Sepse që prej tre javësh, çiftet e shpendëve lëvizin pak më tej në lagunë dhe hapin paradën e shfaqjeve të miqësisë”, thotë Nexhip Hysolokaj.
Të paktën 100 kilometra në veri, në parkun kombëtar të Divjakës, qetësia është kthyer gjithashtu për pelikanin kaçurrel, i quajtur kështu për shkak të pendëve që e bëjnë të duket sikur ka veshur paruke.
Një ishull i vogël prej 22 kilometrash katrore, në qendër të lagunës, është i vetmi vend i mbarështimit për këtë zog të madh shtegtar në Shqipëri.
“Ky ishull pret rreth 85 çifte riprodhuese, numri më i madh i pelikanëve kaçurrelë të regjistruar në tridhjetë vitet e fundit”, sipas Ardian Koçi, drejtori i parkut./ATSH-AFP/