Deputeti Flamur Noka, në dalje të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka lëshuar akuza të rënda ndaj kreut të partisë së tij, Lulzim Bashës.
“Denoncoj leksikun e ulët të kryetarit të PD ndaj qeverisë së Partisë Demokratike, më e suksesshmja në 30 vitet e fundit, denoncoj poshtërimin që Basha i bëri mbrëmë anëtarësisë dhe elektoratit së PD duke, e quajtur llum. Asnjë nuk ka guxuar, as Nano dhe as Rama, ta konsiderojë qeverinë e Sali Berishës dhe bazën e PD-së si llum, as armiqtë më të mëdhenj”.
Noka vijoi duke sqaruar se “mbrëmë, unë i kërkova Bashës që të marrë përgjegjësi, forca jonë po shkon në zgrip, dhe në qoftë se ai e do sadopak këtë forcë, ai duhet të jepte dorëheqjen. Por ai konfirmoi dje se fati i karriges së tij është më i rëndësishëm se fati i demokratëve”.
Sipas deputetit demokrat, foltorja e Sali Berishës është “zgjidhja, alternativa, i vetmi shans për ta mbajtur këtë forcë të bashkuar”, duke pohuar se procesi i firmave po shkon në mënyrë të shkëlqyer, “sepse baza është qartësisht për një forcë të bashkuar”.