Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, akuzoi ashpër kryetarin e PD-së, duke e quajtur ministrin e 20 të kabinetit Rama.
“Pengkryetarit i kanë mësuar një gjë, që mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të sulmosh. Nuk ka njeri të lirë në këtë vend që nuk e di se kush është pengu dhe kush i ka shërbyer Edi Ramës prej 8 vitesh. Nuk ka shqiptar që nuk e di se kush i shkatërroi kauzat e opozitës dhe për arsye të kujt. Zoti Basha është një “pengkryetar”, këto tregojnë që qeveria ka 20 ministra, një ministër i shuarjes së opozitës, që quhet Lulzim Basha. Por ai është pakicë. Demokratët kanë shprehur vullnetin e tyre”, tha Noka.
Ai tha se më 11 dhjetor do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, pavarësisht pretendimeve të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, se nuk kanë dorëzuar firmat për mbajtjen e këtij kuvendi.
“Mbrëmë janë dorëzuar 4200 firma, sot po vijojnë të tjerat dhe të jeni të sigurt që shifra do ta kalojë 5000. Është një vullnet absolut për ta çliruar. Sekretari i Përgjithshëm është mëkëmbësi i tij dhe është palë. Kuvendi do të vetëmblidhet, e parashikon statuti. Në demokraci mos prisni që shumica të paraqitet në rresht te pakica”, tha Noka.
“Kuvendi vetëverifikohet. Çdo interpretim tjetër është thjesht për efekt paniku, shkohet në shprehje që nuk duhet të lejohen brenda PD-së. Nxis këdo që deri sot i ka dhënë zë të pavërtetave lidhur me këtë çështje, të shkojnë te zyra e kryetarit të këshillit kombëtar. Kanë vullnetin e më shumë se gjysmës së anëtarëve”, tha ish-deputeti Gent Strazimiri.