Kryetari i Lega Nord, Matteo Salvini, gjatë një mitingu në Emilia-Romagna, është shprehur se shqiptarët që janë me dokumente të rregullta në Itali, janë vëllezërit dhe motrat e tij.
Deklarata e Salvinit erdhi pasi një qytetar (me shumë mundësi shqiptar) po valëviste flamurin italian, shqiptar dhe të Lega-s bashkë.
“Shikoni sa i bukur ai flamur, krahas flamurit trengjyrësh, është flamuri i Legas dhe flamuri shqiptar. Sepse kush ka ardhur nga larg me dokumente të rregullta në Itali, paguan taksat dhe ngjall respekt, është vëllai im, është motra ime.
Rroftë komuniteti i emigrantëve, të respektueshëm, të integruar dhe me edukatë. Italia është shtëpia juaj. Na ka ardhur në majë të hundës me shpërndarësit e drogës, dhe tutorët e prostitucionit. Për këta kemi një biletë vetëm vajtje, për t’u kthyer andej nga kanë ardhur”, deklaroi Salvini.