Jetët e humbura dhe bilanci i dëmeve kërkojnë reflektime për situatën e ndërtimeve në territorin e Shqipërisë.
Kanë kaluar tre javë nga tërmeti vdekjeprurës i 26 nëntorit. Në peizazhin e qytetit bregdetar të Durrësit shfaqen rrënojat e godinave të hedhura në erë nga rreziku i shembjes, pallate shumëkatëshe me të çara të thella, të braktisura nga banorët, hotele të rrafshuara. Pamje të tilla ka në Thumanë, Lezhë, Laç, Shijak, Tiranë.
Bilanci është tragjik. Të dhënat zyrtare nga Operacioni i Emergjencës të publikuara të mërkurën, (11.12.2019) flasin për 13 mijë qytetarë që kanë humbur banesat e tyre, 261 pallate të pabanueshme dhe 851 të dëmtuara, 2237 banesa të pabanueshme dhe 4618 të dëmtuara, 44 objekte të hedhura në erë dhe dhjetëra të tjera që ruhen me perimetër sigurie, deri sa të vijë ora e shembjes së tyre.
51 jetët e humbura dhe ky bilanc dëmesh nxisin reflektime për situatën e ndërtimeve në territorin e Shqipërisë, që në hartën botërore të sizmologjisë është me ngjyrë të kuqe: me rrezik të lartë të goditjes nga tërmetet.
Nevojë urgjente për politikë urbane kombëtare
Arkitekti i mirënjohur, Artan Raҫa, i nominuar për disa çmime europiane, thotë për DW se dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit janë pasojë e mungesës në Shqipëri të një politike urbane kombëtare. “Ka nevojë urgjente për një politikë urbane kombëtare të qëndrueshme dhe afatgjatë. E shoqëruar me një infrastrukturë të zhvilluar, që lidh qendrat e vogla urbane, një politike kombëtare do të ndalonte si shpopullimin e zonave të tëra ashtu edhe mbipopullimin, përqëndrimin e popullsisë në 2 – 3 qendra, në Durrës, Tiranë apo diku tjetër”, thotë Artan Raça për DW.
Ai thekson se ndërtesat e shkatërruara dhe ato të dëmtuara tregojnë “mungesë serioziteti në të gjitha hallkat e ndërtimit: nga konstruktorët, inxhinierët e materialeve të ndërtimit, inxhinierët e tokave. Tërmeti i 26 nëntorit tregoi se ndërtimi është akti më i rrezikshëm shoqëror”, vë në dukje ai.
“Ka patur një histeri dhe shpejtësi ndërtimi në Shqipëri, sidomos në dy dekadat e fundit, hedhja e betonit ka qënë si një terapi. Është parë fitimi i shpejtë në kurriz të ngritjes së banesave të qëndrueshme dhe dinjitoze. Mungon një kod, ku të jenë përcaktuar me hollësi deri edhe materialet e ndërtimit që do të përdoren në përputhje me shkallën e rrezikut nga tërmeti”, thotë për DW, Arkitekti Raҫa.
Detyrim ligjor: Përdorimi i Eurokodeve
Sado paradoks të duket, është një fakt jo sekret: Shqipëria përdor kodin e ndërtimit të vitit 1989, të para 30 viteve! Inxhinieri konstruktor, Armand Shehu, thotë për DW se tërmeti tregoi domosdoshmërinë e ndryshimeve cilësore në procesin e ndërtimit.
“Duhet të hiqet nga përdorimi kodi shqiptar i ndërtimit i vitit 1989 dhe të bëhet detyrim ligjor përdorimi i Eurokodeve. Duhet bërë një hartë e re sizmike për territorin e Shqipërisë, që çdo objekt i ri që do të ndërtohet, të ketë me detyrim studimin gjeologjik dhe sizmik. Nuk duhet në asnjë mënyrë që në objektet ekzistuese të lejohet ndërtimi i kateve shtesë. Kjo praktikë e toleruar deri tani, është shumë e rrezikshme, siç tregoi tërmeti i 26 nëntorit”, thotë për DW, inxhinier Armand Shehu.
Roli i shtetit dhe drejtësia
Tërmeti i 26 nëntorit tregoi më shumë rrezikun që paraqet abuzimi dhe korruptimi i zyrtarëve bashkiakë, që bënë një sy qorr dhe një vesh shurdh për shtimin e kateve, të paparashikuara në projekt. Ai tregoi neglizhimin e shtetit për dekada të tëra.
Inxhinieria urbaniste Iliriana Bozo thotë për DW se “lëvizja e pakontrolluar e popullsisë, dyndja nga gjithë vendi në 2-3 qendra urbane solli krijimin e zonave të tëra informale, abuzive, të pakontrolluara në të gjitha pikëpamjet. Asnjë qeveri nuk ka marrë mundimin të përmirësojë kushtet teknike të projektimit antisizmik të vitit 1989. Asnjë qeveri nuk ka përditësuar dhe përfshirë në politikën kombëtare të ndërtimit Eurokodet antisizmikë”.
“Ne si profesionistë duhet të kërkojmë zbatimin e saktë të projekteve që hartojmë, pa u kompromentuar nga palë që kanë interesa financiare, plotësim i të cilave vë në rrezik qëndrueshmërinë e objekteve. Por është shteti që bën politikën kombëtare dhe kontrollon zbatimin e saj,” thekson Iliriana Bozo.
Arkitekti Artan Raҫa mendon se ndërtimin e godinave të banesave duhet ta marrë në dorë me përgjegjësi shteti. “Ka ardhur koha që banesa duhet t’i lihet shtetit. Banesa është si uji dhe ushqimi. Banesa përbën qytetin. Hartim i një politike urbane kombëtare do të bëjë të mundur shpërndarjen e mirëqënies në të gjithë territorin e vendit, në mënyrë kapilare dhe të qëndrueshme, krijimin e qyteteve lineare dhe jo vertikale, në përmasa humane dhe pa shkëputur nga toka, si pjesa më e madhe e qyteteve të Europës së re dhe të vjetër. Kjo do të çonte në ndërtime më të qëndrueshme nga tërmetet, me kosto më të ulët dhe reduktim të pasojave të rënda në rast të një tërmeti tjetër në territorin e Shqipërisë,” thekson Artan Raҫa.
Për inxhinierin konstruktor Armand Shehu, shteti “duhet patjetër të jetë i pranishëm gjatë ndërtimit dhe të kontrollojë gjithë procesin ndërtimor”. “Shteti duhet të marrë masat dhe të vendosë para përgjegjësisë personat që kanë dhënë në mënyrë abuzive leje për ndërtimin e kateve shtesë. Ky është shembulli më i mirë i reflektimit të shtetit kur këtë proces e nis vetja”, thekson Armand Shehu.
/Ani Ruçi/DW