Hapja e aeroportit “Flatrat e Veriut” u trumbetua se do të mundësonte punësimin e rreth 12 mijë personave në Kukës, qarkun më të varfër të Shqipërisë. Por dy vite pas fluturimit të parë nga ky aeroport, verifikimet tregojnë se punësimet janë të papërfillshme në krahasim me shifrën propagandistike të artikuluar nga qeveria. Në aeroportin ZAYED rezultojnë të punësuar 77 persona, ndërkohë që zona po përjeton shpopullim të shpejtë nga emigrimi për një jetë më të mirë.
Esmeralda Topi – Faktoje.al
“…numri i punonjësve që do të punësohen pritet të shkojë në rreth 12 mijë persona në fazën finale të realizimit të këtij projektit.”, deklaronte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në mars 2019, pasi qeveria kishte miratuar vendimin për Aeroportin e ri Ndërkombëtar të Kukësit.
Ky aeroport nisi zyrtarisht fluturimet në prill 2021 dhe në këto dy vite aktivitet, ka arritur të punësojë gjithsej 77 persona dhe jo rreth 12 mijë siç pretendonte ministrja Balluku.
Në bilancet e dorëzuara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se numri i të punësuarve në aeroportin e Kukësit është shumë larg pritshmërive të qeverisë shqiptare. Referuar të dhënave nga vetw shoqëria koncensionare, në fund të vitit 2019 rezultojnë vetëm 4 persona të punësuar, në 2020 punësimi është rritur me vetëm tre punonjës, dhe në fund te vitit 2021 rezultojnë gjithsej të punësuar 69 persona.
Numri i të punësuarve në Aeroportin e Kukësit
2019 4 persona
2020 7 persona
2021 69 persona
2022 77 persona
Shifra e punësimeve të premtuara në 2019 duket e ekzagjeruar dhe propagandistike. Edhe aeroporti ndërkombëtar Nënë Tereza, në Tiranë nuk i kalonte 830 personat, sipas shifrave zyrtare.
Edhe fluturimet me ‘pikatore’
Prej hapjes e deri në janar të 2022, në Aeroportin e ZAYED operonte vetëm kompania Air Albania. Një muaj më vonë, aeroportit ndërkombëtar “Flatrat e Veriut” iu bashkua në pistë edhe avioni i parë i kompanisë WizzAir. Por këtë verë, kompania me kosto të ulët Wizz Air lajmëroi pezullimin e operimit nga “Flatrat e Veriut”.
“Wizz Air konfirmon se pas një shqyrtimi dhe analize të kujdesshme, ne kemi vendosur të PEZULLOJMË operimet për/dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit (KFZ) si rezultat i sfidave të paraqitura nga mjedisi i jashtëm, në veçanti terreni dhe moti, që ndikojnë në performancën operacionale të biznesit tonë dhe çojnë në ndërprerje të klientëve.”, konfirmoi kompania për Faktoje në fund të muajit korrik.
Me largimin e Wizz Air, Kukësit i ka mbetur vetëm si kompani operuese ‘Air Albania’ e cila aktualisht ofron vetëm linjën Kukës- Bazel.
Kukësi vijon shpopullimin
Ndërtimi i aeroportit u trumbetua si një mundësi e artë për zhvillimin e qarkut më të varfër të vendit, Kukësit. Por statistikat tregojnë se ndërtimi i aeroportit nuk e dha efektin e pritur, madje as më minimalin. Kukësi vijon të jetë qarku me nivelin më të lartë të varfërisë në Shqipëri, ndërkohë që vitet e fundit po vuan nga shpopullimi i shpejtë. Këtë e ilustrojnë të dhënat e INSTAT që tregojnë një rënie në pikiatë të numrit të popullsisë gjatë dekadës së fundit.
Në fillim të këtij viti Kukësi numëronte 71 mijë banorë nga 86 mijë që ishin në 2013-n. Vendasit thonë se aktualisht në Kukës gjen shumë më pak persona nga sa flasin edhe shifrat zyrtare. Kjo për shkak të valës masive të emigrimit kryesisht drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Nisur nga verifikimi dhe të dhënat e grumbulluara nga Faktoje, vendosëm që deklaratën e Ministres Balluku në lidhje me shifrat e punësimit në aeroportin e Kukësit, ta kategorizojmë të Pavërtetë.