Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flencestein pas takimeve të djeshme në Tiranë, ka dalë sot në një konferencë për mediat nga zyrat e BE në Tiranë.
Ai deklaroi se do të flasë për të vërteta që shumëkujt mund të mos u pëlqejnë.
Në nisje të fjalës, ai lëshoi një mesazh për ish-kryeministrin Berisha.
“Kam shumë respekt për Berishën, ndoshta më shumë sesa mendoni ju dhe këtë e kam me të vërtetë. Por ama do të doja që t’i kërkoja të mos fliste më për këto përralla sorosiane, e njëjta histori që kam dëgjuar edhe në Maqedoni. Zoti Berisha nuk është i dobët”, tha ai.
Ai tha se nuk do të komentojë protestën e PD-së, por nga konferenca iu drejtua me një thirrje gjithë deputetëve të PD-së.
“Unë nuk do ndërhyj e as komentoj protestën pasi është çështje e brendshme, është e drejtë e qytetarëve dhe e opozitës të protestojë. Por, bojkoti i Kuvendit është jo mënyrë e duhur sidomos për zgjedhësit që kanë votuar për ata deputetë, unë u kërkoj kolegëve të mi në PD të vazhdojnë ata që mendojnë që është e nevojshme, por u kërkoj të kthehen në punë, e ky nuk është vetëm mendimi im, por Kukan, Hahn, Mogerinit, e Vlahutin, pra i të gjithëve ne”, tha ai.
Duke kërkuar zbatimin e Vetingut, ai theksoi: “U them kolegëve të PD mos na e jepni ndjesinë që e keni keqpërdorur punën dhe besimin, ndarjen 50% me 50% për reformën, minimalja është të shkoni në punën e komisioneve, mos ndaloni procesin e vetingut dhe reformën në drejtësi”.