Mëngjesi i parë në Tiranë për raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein ka nisur me një takim në hotel “Rogner” me ambasadorët e SHBA dhe BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.
Vlahutin erdhi në këtë takim pas një takimi kokë më kokë me kryeministrin Rama. Top Channel ka mësuar se dy ambasadorët në diskutimet me eurodeputetin kanë kërkuar bashkërendim të qëndrimeve dhe mbështetjen maksimale për reformën në drejtësi, punën e ONM-së dhe dekriminalizimin. Po ashtu, në takim është biseduar dhe për zgjedhjet.
Në një prononcim të shkurtër për mediat pas daljes nga hotel “Rogner” dhe përpara takimit me kryeministrin Rama, eurodeputeti Fleckenstein, i pyetur për protestën e opozitës, tha se vendi i çdo force politike është në Parlament.
“Protesta duket e qetë. Vendi i çdo force politike është në Parlament. Do takoj Bashën dhe do diskutojmë, por nuk do negocioj”, tha Fleckenstein.
Pas takimit me kryeministrin, Fleckenstein u shpreh optimist për ecurinë e reformës në drejtësi, vettingun dhe dekriminalizimin.
Eurodeputeti gjerman preferoi ta bëjë në këmbë rrugën drejt zyrës së kryeparlamentarit Meta dhe përgjatë tendës së protestuesve opozitarë.
I pyetur nga TCH nëse do t’i takonte protestuesit dhe kryedemokratin Basha në tendën e ngritur para Kryeministrisë, Fleckenstein tha se me kreun e opozitës preferon të bisedojë në selinë e demokratëve.
“Pata një takim të mirë me kryeministrin Edi Rama. Jam optimist ende, por do të takoj edhe zotin Meta dhe zotin Basha”, tha Fleckenstein.
TCH: Do të shkoni ta takoni zotin Basha tek çadra e protestës?
“Jo, jo. Unë nuk shkoj në asnjë protestë. Jam thjesht i ftuar këtu”, u përgjigj eurodeputeti.
Axhenda e takimeve e Fleckenstein vijoi me një takim me kreun e Kuvendit Ilir Meta, në praninë edhe të ministrit të Drejtësisë, Vasili. Fleckenstein ka parashikuar një takim gjatë pasdites me ministren e Integrimit Klajda Gjosha, si dhe me liderin e opozitës, Lulzim Basha.
Takimi me Bashën do të realizohet në një kohë që opozita ka hyrë në ditën e katërt të protestës në sheshin para Kryeministrisë.