Aktualitet Flet avokati i Saimir Tahirit: E ka gruan sëmurë, do kujdeset për...

Flet avokati i Saimir Tahirit: E ka gruan sëmurë, do kujdeset për fëmijët

Maks Haxhia, avokati i ish-ministrit Saimir Tahiri ka sqaruar në një komunikim me mediat se pse u lirua ish-ministri i Brendshwm. Sipas tij,  bashkëshortja e Tahirit për shkak të problemeve me shëndetin, nuk mund të kujdeset për fëmijët e mitur.

Haxhia u shpreh Tahiri do të mbajë kontakte me shërbimin e provës për çdo lëvizje, madje mund të dalë edhe jashtë vendit.

Ai sqaroi se vendimi i sotëm është i paapelueshëm, pasi është mbështetur në mënyrë të pakontestueshme nga tre grupe ekspertësh që kanë vërtetuar gjendjen shëndetësore të bashkëshortes së ish-ministrit.

“Gruaja vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat nuk i shërben dot fëmijëve. Gjykata në 5 muaj e ca ka arritur në konkluzionin konkret. Kushtet janë të përcaktuara, do mbajë lidhje me shërbimin e provës, Nuk do të paraqitet në shërbim prove por do të ketë kontakt, edhe nëse do ti duhet të lëvizë jashtë vendit për shkak të gjendjes së bashkëshortes. Ky vendim është i paapelueshëm”, tha Haxhia.

Maks Haxhia ndau një moment ku një person me precedent të theksuar penal teksa dilte nga burgu i kishte shprehur keqardhje Saimir Tahirit që vuante ende dënimin. E ndërsa rrëfeu këtë, një gazetare nuk e kurseu ironinë.

“Para disa kohësh u lirua një person me precedent të theksuar kriminal dhe duke dalë i tha: Më vjen turp që dal unë nga burgu dhe rrini ju.”- tha ai

Gazetarja: Paska bërë shoqëri Tahiri në burg.

Maks Haxhia: Normale.