Presidenti i SHBA ka nominuar David J. Kostelancik, për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Zoti Kostelancik ka shërbyer në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.
David J. Kostelancik, shërben aktualisht si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.
Kostelancik është anëtar karriere i Shërbimit të Jashtëm me gradën Ministër-Këshilltar.
Kostelancik ka shërbyer më parë si Zëvendës Shef i Misionit dhe si i Ngarkuar me Punë, në Ambasadën e SHBA në Hungari. Ai ka shërbyer si Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore, Drejtor i Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve.
Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën e SHBA në Rusi. Gjithashtu ka shërbyer ne Misionin e SHBA në OSBE në NATO, në Tiranë, dhe në Ankara. Me origjinë nga Illinois, ai është i diplomuar në Kolegjin Kombëtar të Luftës, ku fitoi një Master të Shkencave. Ai gjithashtu mori një diplomë Master të Arteve nga Universiteti i Miçiganit. Flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.