Shëndet Flet mjekja: Shenjat që tregojnë mungesë të vitaminës D, sëmundjet që rrezikohen

Flet mjekja: Shenjat që tregojnë mungesë të vitaminës D, sëmundjet që rrezikohen

Vitamina D është thelbësore për forcimin e kockave duke favorizuar mineralizimin dhe rritjen e tyre. Ndihmon në përthithjen e fosforit dhe kalciumit në zorrë, si dhe riabsorbimin e kalciumit në veshka. Duke patur vitaminën D në nivelin e duhur, ne mund të ruajmë shëndetin e kockave tona duke parandaluar edhe thyerjet.

Po kështu vitamina D, pengon shfaqjen e çrregullimeve autoimune (mes të cilave artritin reumatoid, Lupusin dhe diabetin e tipit 1), si dhe forcon sistemin nervor, duke luftuar kundër shfaqjes së depresionit. Në një intervistë për “Mapo”, Rovena Liço, mjeke reumatologe pranë poliklinikës së specialiteteve Nr.1 në Tiranë shpjegon se deficiti i vitaminës D në organizëm ka pasoja si te fëmijët dhe te të rriturit. Sikurse shpjegon mjekja reumatologe, te fëmijët manifestohen vështirësi në fillimin e ecjes, ecja në moshë më të madhe se normalja, dhimbje gjatë presionit në kocka të caktuara, shtatlartësi e vogël, dalja e vonuar e dhëmbëve, harkimi i këmbëve, ndërsa te të rriturit rrezikohet osteomalacia dhe osteoporoza; të dyja sëmundjet bëjnë pjesë në grupin e sëmundjeve metabolike të kockave. Mungesa e vitaminës D, shpjegon mjekja Liço, mund të diagnostikohet nëpërmjet dozimit të vitaminës D në gjak, një analizë e cilat duhet të bëhet në mënyrë periodike qoftë te fëmijët ashtu edhe te të rriturit; në rast se keni deficenca të kësaj vitamine të rikuperoni përmes këshillave të mjekut, nga ushqimi, ekspozimit në diell dhe suplementeve përkatës.

Çfarë është vitamina D?

Vitamina D është një vitaminë liposolubile e cila shërben për ruajtjen e balancës së kalciumit në gjak dhe në kocka. Efekti kryesor i vitaminës D është nxitja e përthithjes së kalciumit dhe fosforit nga zorra e hollë të cilat janë të domosdoshme për ruajtjen e nivelit normal të kalciumit në gjak dhe mineralizimin e duhur kockor. Mungesa e vitaminës D shoqërohet me nxitjen e hormonit të paratiroides i cili nxit çlirimin e kalciumit prej kockës që rezulton në ulje të mëtejshme të mineralizimit të kockës.

Cilat janë burimet e vitaminës D dhe çfarë e shkakton mungesën e vitaminës D në organizëm?

Burimet kryesore të vitaminës D në organizëm janë nëpërmjet sintetizimit nga lëkura nëpërmjet rrezeve UV të përthithura nga rrezatimi diellor dhe nëpërmjet ushqimeve. Ushqimet e pasura me vitaminë D janë të pakta, ndër to mund të përmendim peshkun e yndyrshëm si salmoni, peshku ton, makarel, vezët dhe ushqimet që janë të fortifikuara me vitaminë D; si drithërat dhe qumështi. Pavarësisht se themi që vendet mesdhetare karakterizohen nga shumica e ditëve me diell, përsëri popullata është e rriskuar për të zhvilluar mungesë të vitaminës D, kjo sepse që vitamina D të sintetizohet nëpërmjet lëkurës duhet të plotësohen disa kushte: lëkura të jetë e pambuluar dhe pa përdorur krem mbrojtës që mbron ndaj rrezeve UV që nga ana tjetër është e domosdoshme për sintezën e vitaminës D. Me këtë shpjegohet edhe fakti që raca e zezë vuan më shumë nga deficiti i vitaminës sesa racat e tjera, sepse lëkura e tyre përmban më shumë pigment melaninë çka përthith rrezet UV. Për sa u përket ushqimeve është pjesë e politikave shëndetësore të çdo vendi që të kërkohen ushqime të fortifikuara me vitaminë D, sidomos qumështi i fëmijëve.

Pra, mungesa e vitaminës D mund të vijë si prej mungesës së ekspozimit në diell ose nga konsumimi i ushqimeve të varfra në vitaminë D.

Shkaqe të tjera që çojnë në deficit të vitaminës D mund përmendim:

Probleme të malabsorbimit (keqpërthithjes), persona me rezekim të zorrës së hollë, personat që vuajnë nga celiakia, fibroza kistike, morbus Crohn.

Përdorimi i medikamenteve të ndryshme si fenobarbital, rifampin, dilantin etj.

Kush janë personat më të rriskuar?

Deficiti në vitaminë D është i shpeshtë në personat e moshuar, personat e hospitalizuar për një kohë të gjatë, personat që janë në rritje si fëmijët dhe adoleshentët, madje për këtë kategori popullate këshillohet suporti tërë kohës me suplement ditor vitaminë D.

Tjetër grup popullate në risk janë personat që konsumojnë kohë të gjatë në ambiente të mbyllura pune.

Raca e zezë gjithashtu është më e rriskuar se racat e tjera, për arsyet që u shpjeguan më sipër.

Çfarë shkakton deficiti në vitaminë D?

Deficiti në vitaminë D në përgjithësi është sëmundje e heshtur. Në fëmijë deficiti manifestohet me rakitizëm që karakterizohet me vështirësi në fillimin e ecjes, d.m.th. ecja në moshë më të madhe se normalja, dhimbje gjatë presionit në kocka të caktuara, shtatlartësi e vogël, dalja e vonuar e dhëmbëve, harkimi i këmbëve etj.

Në moshat e mëdha bëhet shkak për zhvillimin e osteomalacisë dhe osteoporozës. Të dyja sëmundjet bëjnë pjesë në grupin e sëmundjeve metabolike të kockave, osteomalacia ka të bëjë me demineralizimin e kockës si rezultat i mungesës së kalciumit dhe fosforit kurse osteoporoza ka të bëjë me uljen e densitetit kockor duke e bërë kockën më poroze dhe më të rriskuar ndaj frakturave dhe rrezikun për t’u thyer edhe me trauma minimale. Osteomalacia manifestohet me dhimbje kronike muskulore, dhimbje nën presion mbi kocka si kërciri dhe dërrasa e kraharorit.

Deficitet e theksuara në vitaminë D mund të shkaktojnë miopati që karakterizohen nga dobësi e theksuar trupore e dhimbje muskulore.

Studime të ndryshme e lidhin mungesën e vitaminës D edhe me sëmundje të tjera si hipertensioni, sëmundjen vaskulare periferike, sëmundjen ishemike të zemrës, duke e lidhur rolin e vitaminës D edhe me një efekt anti-inflamator e kundër radikaleve të lira. Deficiti në vitaminë D lidhet edhe sëmundjen e depresionit, e diabetit tip 2, problemeve me imunitetin. Studimet e fundit tregojnë edhe për një efekt antikancerogjen të vitaminës D, duke u bërë në këtë mënyrë edhe një faktor mbrojtës ndaj shfaqjes së kancereve të ndryshme.

Si diagnostikohet mungesa e vitaminës D dhe si trajtohet?

Mënyra e vetme për të diagnostikuar mungesën e vitaminës D është nëpërmjet dozimit të vitaminës D në gjak. Në varësi të rezultatit vendoset nëse pacienti ka pamjaftueshmëri, mungesë apo vlera normale të vitaminës D në gjak. Në varësi të rezultatit vendoset edhe doza që pacienti duhet të marrë dhe kohëzgjatja e mjekimit. Vlen të theksohet fakti që në qoftë se ka pamjaftueshmëri apo deficit, fillimisht duhet korrigjuar ky problem me doza më të mëdha për një periudhë të caktuar dhe pastaj rekomandohet doza mbajtëse ditore që ky problem të mos rishfaqet. Dozat ditore prej 800-1000UI të shoqëruara me kalcium reduktojnë riskun për frakturë me 10-15 për qind.