Gjergj Doçi, pronari 61-vjeçar i banesës në fshatin Spiten të Lezhës që u grabit nga persona të paidentifikuar, ka thënë për gazetarët se autorët ishin të maskuar dhe të armatosur.
Ata dhunuan atë dhe bashkëshorten e tij, e më pas u larguan duke marrë një sasi parash dhe telefonat e çiftit të bashkëshortëve.
Gjergj Doçi ka bërë denoncim në polici për ngjarjen, teksa shprehet se hetuesit i kërkuan emrat e punëtorëve që pak kohë më parë kanë bërë punime në banesën e tij.
“Policia më kërkoi emrat e disa punëtorëve që kanë bërë punime në banesën time. Ishin dy persona me maska dhe me rroba të zeza. Njëri kishte armë dhe tjetri kishte hekur, nuk munda t’i identifikoj. Gruan e goditën rëndë, vodhën disa para dhe telefonat. Më kërkuan t’u jepja paratë dhe u larguan në këmbë, por nuk e di me çfarë erdhën”, është shprehur 61-vjeçari.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar grabitësit. Në banesën e familjes Doçi janë gjetur edhe disa sende të lëna pas nga autorët, të cilat janë marrë nga hetuesit dhe do të shërbejnë për të zbardhur ngjarjen dhe për të çuar në identifikimin e grabitësve.